Serra e dëmtuar nga breshri, Foto: Kallxo.com

Breshri në Han të Elezit, kryetari i Komunës: Komuna nuk ka fond për t’i kompensuar dëmet, do t'i drejtohet Qeverisë

Breshri dhe reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe bujqësore në Komunën e Hanit të Elezit. Një ditë më pas, më 22.05.2024, Komuna e Hanit të Elezit e ka nisur ditën me një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë për KALLXO.com se u janë drejtuar më kërkesë Qeverisë së Kosovës për t’iu dalur në ndihmë, ngase sipas tij komuna e Hanit të Elezit nuk ka një fond të veçantë  për kompensim të dëmeve.

Sipas Ballazhit, ende askush nuk i ka kontaktuar nga Qeveria apo institucione të tjera të vendit për t’iu dalur në ndihmë.

“Asnjë qeveritar nuk është interesuar së paku për të na kontaktuar për gjendjen”- është shprehur Ballazhi.

Sipas Ballazhit, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në bujqësi, ndonëse sipas tij ende nuk është nxjerrë një vlerësim real i dëmeve të shkaktuara.

“Ka dëme të mëdha në sera, ka dëme në automjete sidomos xhamat e thyer të automjeteve dhe të kulmeve të shtëpive”- ka thënë Ballazhi.

I pari i Hanit të Elezit ka deklaruar se komuna nuk ka mundësi për t’i kompensuar këto dëme.

“Komuna nuk ka për t’i kompensuar këto dëme, për këtë arsye ne do t’i drejtohemi Qeverisë pasi të bëjmë vlerësimin e këtyre dëmeve” – shtoi ai.

Lidhur me situatën e krijuar me vërshimet, drejtori i Arsimit në këtë komunë Hisni Luri, ka deklaruar se është ndëprerë mësimi në një çerdhe për shkak të depërtimit të ujit brenda objektit të saj.

“Institucioni parashkollor i çerdhes “Ardhmëria”, sot (22.05.2024) nuk punon për arsye se uji ka hyrë edhe aty” – ka thënë Luri.

Komuna e Hanit të Elezit, por edhe e Kaçanikut të martën pasdite (21.05.2024) janë përballur me një mot të ligë duke shkaktuar dëme materiale dhe dëme të tjera në bujqësi.

Nga ky mot i lig nuk është raportuar të ketë pësuar ndonjë qytetar.

Kështu ka thënë në një prononcim për KALLXO.com drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Hanit të Elezit, Kimete Kuka.

“Sapo kontaktova me QKMF-në dhe na konfirmuan se deri tani nuk ka asnjë person të lënduar, dëmet më të mëdha janë dëme materiale dhe në bujqësi. Fatmirësisht dëme njerëzore nuk kemi”- ka thënë Kuka për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme (21.05.2024) për vërshimet në Komunën e Hanit të Elezit.

 

Hani i Elezit ballafaqohet me pasojat një ditë pas breshrit dhe reshjeve të shiut