Pas pasojave nga moti i lig, në komunën e Hanit të Elezit qëndron Komisioni shtetëror për vlerësimin e dëmeve

Pas dëmeve të shkaktuara nga breshri dhe shiu në territorin e komunës së Hanit të Elezit, sot, më 23.05.2024, Komisioni qendror për vlerësimin e dëmeve ka vizituar Komunën e Hanit të Elezit.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, tha për KALLXO.com se sot ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Komisionit shtetëror për vlerësimin e dëmeve.

“Po, sot jemi takuar me përfaqësues nga Komisioni shtetëror, i udhëhequr nga kryesuesi i Komisionit, Kastriot Lajçi, dhe zyrtari i Financave, Bashkim Mehmetaj, po ashtu edhe me komisionin komunal për vlerësimin e dëmeve, ku kemi diskutuar për gjendjen e krijuar dhe nga Komisioni shtetëror na dhanë disa rekomandime për zhvillimin e procedurave dhe hapave që duhet t’i ndërmarrim në këtë rast” – tha Ballazhi.

Kryetari i Komunës tha se mendon që ky takim u zhvillua kaq shpejt sidomos për arsye të raportimit të mediave, veçanërisht të KALLXO.com rreth gjendjes së krijuar në territorin e komunës së Hanit të Elezit, i cili u përball me mot të lig dhe si pasojë u shkaktuan dëmë të mëdha materiale dhe në bujqësi.

“Mendoj që arseyja e këtij takimit të shpejtë ka ardhur si raport i punës së mediave, veçanërisht i KALLXO.com, që kanë raportuar në çdo moment për gjendjen e krijuar’’ – shtoi Ballazhi.

Ai gjithashtu tha për KALLXO.com se që nga dita e nesërme, 24.05.2024, qytetarët e komunës do mund t’i dërgojnë kërkesat e tyre për dëmet që u janë shkaktuar.

‘’Po, sot e kemi marrë vendim që pas dëmeve të konsiderueshme nga rrebeshi i shiut me datë 21.05.2024, Komuna e Hanit të Elezit, respektivisht Drejtoria e Administratës njofton qytetarët që sporteli numër 1 dhe 2, pranë Qendrës për Shërbim me Qytetarë është i dedikuar për pranimin e kërkesave për dëmet e shkaktuara’’ – tha kryetari Ballazhi.

Ai tregoi edhe procedurat që duhet t’i ndjekin qytetarët.

Për kërkesa duhet të keni këto dokumente:

– Formulari i kërkesës

– Letërnjoftimi

– Konfirmimi i xhirollogarisë bankare

– Fotografitë të printuara me ngjyra nga dëmet në objektet ndërtimore, pajisjet, të mirat materiale dhe dëshmitë e tjera të ngjashme.

Afati për aplikim fillon nga data 24.05.2024 dhe zgjat deri më 30.05.2024.