Krasniqi: Konstatimi se po zvarritet procesi për zgjedhjen e kryetarëve të rinj në veri është i padrejtë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha që nënshkrimet e peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, nëpërmjet të cilëve u hapet rrugë zgjedhjeve të reja në këto komuna, janë dorëzuar në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve dhe se nuk i takon atij të flasë më shumë për këtë çështje.

Sipas tij, nuk është e drejtë të thuhet që po zvarritet procesi i shkarkimit të kryetarëve, meqenëse janë bërë të gjitha veprimet kushtetuese të nevojshme për këtë çështje.

“Qeveria ka pasur vullnet për të përpiluar Udhëzimin Administrativ brenda një muaji dhe këtë e kemi bërë. Tash e kemi dokumentin dhe në bazë të tij kemi edhe një proces të iniciuar në katër komunat e vendit. Të gjitha nënshkrimet që kanë kërkuar shkarkimin nga funksioni i kryetarëve janë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”- tha Krasniqi pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me kryetarët e komunave, më 21.02.2024.

Udhëzimi Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.

3 mijë e 640 nënshkrime duhet të evidentohen në peticion për të nisur procesi i shkarkimit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. 

Për dallim nga Mitrovica e Veriut, në Leposaviq duhet të mblidhen 2 mijë e 691 nënshkrime për të filluar procesi për shkarkimin e kryetarit Lulzim Hetemi. 

Këto shifra përbëjnë 20-përqindëshin e votuesve të këtyre komunave, ashtu siç parashihet në udhëzimin administrativ të miratuar vitin e kaluar nga Ministria e Pushtetit Lokal, për t’u plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në një komunë. 

Si nisi procesi për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave në veri?

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës në fund të majit 2023, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Për të shtensionuar situatën në veri pas protestave të dhunshme që u regjistruan nga maj të vitit të kaluar,  në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit lokal nisi puna për të hartuar një udhëzim për të mundësuar që përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 përqind e qytetarëve të niste edhe procesi për shkarkimin e kryetarëve aktual të komunave. 

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje, në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse, si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Më 5 shtator të vitit 2023, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kishte konfirmuar se kishin përfunduar edhe hartimin e udhëzimit Administrativ për iniciativën qytetare për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. 

“Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale”- thuhet në njoftimin e ministrit më 05.19.2023.

Ai kishte njoftuar se pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.

“Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët”- thuhet tutje në të njëjtin njoftim. 

Nga të dhënat e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar,  në Leposaviq ishin 13.318 qytetarë me të drejtë vote, në Zubin Potok 6.661, në Zveçan 6.998 ndërkaq në listën përfundimtare të votuesve në Mitrovicë të Veriut ishin 18.118.

Në tetor të vitit të kaluar, Aleksandar Vuqiq u kishte bërë thirrje përfaqësuesve në veri të vendit që të inicojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.