Elbert Krasniqi - Ministër i MAPL-së - 21.04.2024

Krasniqi: Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë.

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit. Tashmë qytetarët me votim deklarohen se a janë pro largimit të kryetarëve ose jo”- është shprehur ai gjatë vizitës në komunën e Leposaviqit, ku po zhvillohet procesi i votimit pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave në veri.

Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin për t’ua mundësuar qytetarëve që dëshirojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre ose kërkesën e tyre për largimin e kryetarit nga funksioni, ta bëjnë këtë me të drejtën që u garantohet përmes Ligjit.

“Nëse në këtë votim marrin 50% të qytetarëve + 1 dhe ata votojnë për largimin e kryetarëve, presidentja e vendit do të shpallë zgjedhjet e parakoshshme. Detyrë e jona ka qenë ta bëjmë këtë mundësi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organizimi i procesit, besoj që gjithçka ka shkuar mirë, janë hapë të gjitha qendrat siç mora informacion nga KQZ, ndërkaq pjesa tjetër i mbetet qytetarëve”- tha Krasniqi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen kësaj mundësie të votojnë dhe vullneti i tyre të shkojë deri në fund.

Ministri tha se situata është e qetë dhe se organizimi i procesit është në formën më të mirë të mundshme.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministrin Sveçla. Gjithçka sot është qetë dhe mirë edhe organizimi i procesit është në formën më të mirë të mundshme në secilin aspekt të mundshëm edhe praktik edhe teknik, gjithashtu edhe në aspektin e sigurisë”- theksoi Krasniqi.

Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq sot pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave.

Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.

Ekipet e KALLXO.com do të raportojnë në kohë reale lidhur me procesin e votimit në këto katër komuna.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.

Në Leposaviq nga 19 Qendra të mëhershme të votimit, për procesin e shkarkimit të kryetarëve shqiptarë aktualisht është vendosur që të votohet në 8 Qendra Votimi të tjera, në Objektin Komunal- Leposaviq, në objektin komunal Soqanicë, në një objekt privat në Rëvastakë, në një objekt shtetëror në fshatin Dren, në objektin e Nsgh univerzal në Leshak, në një objekt në Kushtovë, në një objekt privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë.

Në Zubin Potok do të votohet në pesë Qendra Votimi në objektin e komunës, një objekt publik në Mala Jabuka, te Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama”.

Në Zveçan procesi i votimit do të zhvillohet në objektin komunal Shkollën Fillore të mesme të ulët “Isa Boletini” në Zhazhë dhe shkollën tjetër në Lipë, në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitakovc.

Në Mitrovicën e Veriut do të votohet në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Suhodoll, objektin e komunës në Lagje të Boshnjakëve, në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Kodrën e Minatorëve dhe në ish- objektin komunal.