Foto: Albin Kurti, Facebook

Kryeministrja serbe vizitoi veriun e Kosovës, Kurti çoi vartësit në Luginë të Preshevës

Fillimi i javës nisi me vizita zyrtare të zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës dhe të zyrtarëve serbë në Kosovë.

Në Luginë të Preshevës kanë qëndruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ndërsa, në veri të veri të vendit, në komunat me shumicë serbe, ka qëndruar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

KALLXO.com i dërgoi pyetje Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për të kuptuar se pse në Luginë të Preshevës nuk ka shkuar shefi i Qeverisë, Albin Kurti ose a ka në plan që ta bëjë një vizitë zyrtare, por deri në publikimin e këtij artikulli ZKM nuk ktheu përgjigje.

Gjatë një konference për media, ditë më parë, i pyetur se a do të vizitojë Luginën e Preshevës, Kurti tha se një ditë do ta vizitojë por nuk tregoi se kur.

Gjatë qëndrimit në Luginën e Preshevës, dy zyrtarët e lartë shtetërorë, Besnik Bislimi dhe Arbërie Nagavci, nuk u takuan me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi. Ai, në një intervistë për KALLXO.com tha se nuk ka pranuar fare kërkesë për takim nga zyrtarët shtetërorë të Kosovës.

“Hiç s’kam pasë, s’kemi pasë hiç kërkesë dhe kjo nuk është e para herë, qysh nga ndryshimi i pushtetit lokal në prill të këtij viti, është njëjtë. Ne i kemi bërë kërkesë zyrtare edhe Qeverisë Kurti edhe presidentes Osmani, por ende nuk kemi përgjigje” – deklaroi ai.

Në anën tjetër, gjatë qëndrimit në Luginë, zv.kryeministri Bislimi dhe ministrja Nagavci shpërndanë libra falas për fëmijët shqiptarë.

“Sot jemi siguru me i sjell librat që mos me u mungu asnjë libër, jam e bindur që arsimtarët e juaj do të punojnë me shumë përkushtim, pres dhe besoj që edhe ju keni me mësu mirë dhe keni me pas shumë sukses” – deklaroi Arbërie Nagavci gjatë qëndrimit në njërën prej shkollave fillore në Luginën e Preshevës.

Bislimi e Nagavci patën takime edhe me deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai, përmes një reagimi në Facebook tha se presin që Kosova t’i përfshijë shqiptarët e Luginës në dialogun Kosovë-Serbi.

“Biseduam për rrjedhat e përgjithshme politike në Luginë të Preshevës e rajon, nevojën e prezencës më të madhe të Republikës  së Kosovës në Luginë të Preshevës me projekte konkrete, nevojat e qytetarëve të Luginës në Kosovë e sidomos për angazhim më të madh të përfshirjes të të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë duke aplikuar parimin e reciprocitetit” – thuhet në njoftimin e Kamberit.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit në veri, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq tha se “Serbia është e interesuar për paqe”.

“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti” – tha Bërnabiq.

Arifi: Nuk pata kërkesë për takim nga Bislimi dhe Nagavci

www.kallxo.com