Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, Foto: KALLXO.com

Arifi: Nuk pata kërkesë për takim nga Bislimi dhe Nagavci

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi tha se zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci nuk kërkuan fare të takohen me të gjatë vizitës që zyrtarët shtetërorë të Kosovës, po zhvillojnë në Luginë të Preshevës.

Në një intervistë për KALLXO.com, Arifi tha se ekzekutivi kosovar që udhëhiqet nga partia Lëvizja Vetëvendosje po synon përçarjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Së pari, agjendën të cilën e kanë bërë për ditën e sotme ka qenë një agjendën që nuk ka qenë e mençur sepse ka injoruar dhe ka neglizhuar Komunën e Preshevës, konkretisht edhe shqiptarët në Komunën e Preshevës por ka pasur vetëm disa takime me disa lider, kokë më kokë, në Komunën e Bujanocit por jo në Komunën e Preshevës”, tha ai.

Ai tha se ka dërguar ftesa edhe për kryeministrin, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani për takime në Prishtinë, por ende nuk ka marrë përgjigje.

“Hiç s’kam pas, s’kemi pas hiç kërkesë dhe kjo nuk është e para herë, qysh nga ndryshimi i pushtetit lokal në prill të këtij viti, është njëjtë. Ne i kemi bë kërkesë zyrtare edhe Qeverisë Kurti edhe presidentes Osmani, por ende nuk kemi përgjigje” – deklaroi ai.

Ai tha se kritikon qasjen e Qeverisë së Kosovës në dialog dhe sipas tij, ai nuk shndërrohet në “skllav politik”.

“Kjo është falë politikave të Vetëvendosjes që tentojnë pikë së pari me u hakmarrë për ndryshimin që ka ndodh në Komunën e Preshevës dhe së dyti me u mundua që mua me më bë një skllav politik të tyre, gjë të cilën unë nuk e lejoj” – tha Arifi.

“Gjithashtu, jam edhe kritik ndaj politikave të qeverisjes aktuale në drejtim të përçarjes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pa precedentë e ka bërë qeveria Kurti as qeveria Rugova as qeveria Thaçi as qeveritë e tjera nuk e kanë bërë më herët  me u përzi dhe me e përçarë faktorin politikë ashtu siç e ka bërë aktualisht Qeveria Kurti dhe këtu marre ju çoftë” – deklaroi Shqiprim Arifi.

Për pretendimet e Arifit, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Kryetari i Preshevës nuk takon Bislimin e Nagavcin: Nuk jam i kënaqur me qasjen në dialog