Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeministri Kurti uron veteranët në ditën e tyre, kujton heroizmin e Familjes Jashari   

Kryeministri Albin Kurti i ka uruar luftëtarët e UÇK-së në “Ditën e veteranëve”. Ndërsa ka kujtuar edhe rrethimin e parë nga policia serbe të shtëpisë së Familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt.

Përmes një postimin në Facebook, kryeministri Kurti ka thënë se ashtu siç kujtohen dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës, sot kujtojmë shokët e tyre të gjallë, luftëtarët e lirisë që jetojnë mes nesh.

“Sot është Dita e Veteranëve, e gjithë atyre që luftuan me armë në dorë, guxim në zemër dhe vullnet në mendje, për çlirim e bashkim, për të jetësuar Republikën e Kosovës, bashkë me ne”- ka shkruar Kurti.

Kjo ditë, sipas Kurtit, përkon me 30 dhjetorin e vitit 1991, kur për herë të parë policia serbe rrethoi shtëpitë e Shaban Jasharit në Prekaz, në kërkim të të birit të tij Ademit, që sapo ishte kthyer prej Shqipërisë pas stërvitjesh ushtarake.

“Ajo ditë e hënë e para 31 viteve, për Prekazin nisi në ora 05:15 të mëngjesit, me thirrjet e policisë serbe me megafon: “Dorëzohu Adem Jashari”. Por Ademi, bashkë me vëllezërit e tij Rifatin dhe Hamzën, e kishin ndarë mendjen me kohë, të luftonin kundër Serbisë pa kushte, deri në liri a vdekje. Luftimet e asaj dite mes policisë serbe dhe familjes Jashari si dhe shokëve që u erdhën në ndihmë, shënon fillimin e një kapitulli të ri, të një dekade rezistence të armatosur që do të përmbyllej më 1999 me çlirimin e Kosovës”- ka shkruar kryeminsitri Kurti.

Sipas tij, ky aksion policor i Serbisë pushtuese në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, rezultoi me 2 persona të plagosur, 14 familje të bastisura dhe 50 të arrestuar, nga të cilët 27 u mbajtën gjithë ditën.

“Mes tyre edhe Shaban Jashari, që u mbajt 48 orë në Qendrën e Sigurimit në Mitrovicë, ku u rrah dhe malltretua, siç duket edhe në këto fotografi të shkrepura nga fotoreporteri Ilaz Bylykbashi. Serbia e asaj kohe nuk e dinte dhe as që mund ta ketë parashikuar që Shaban Jashari dhe bijtë e tij, do të vazhdonin të jenë shpirti dhe trupi i asaj lëvizje të armatosur që u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjer në fund, deri në çlirimin e Kosovës. Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të paepur të lirisë!”-ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.