Krasniqi pas takimit me Hovenier: PDK vlerëson se kjo Qeveri e ka humbur rrugën – zgjedhjet, alternativa e vetme

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme janë alternativa e vetme aktualisht. Sipas tij, qeveria që drejtohet nga Albin Kurti e ka humbur kredibilitetin.

Krasniqi tha se këto qëndrime ia bëri të ditur edhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombetarë, janë tërësisht të papranueshme” – tha Krasniqi në Facebook.

“PDK vlerëson se kjo Qeveri e ka humbur rrugën e duhur, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj, zgjedhjet e parakohëshme janë alternativa e vetme” – ka vlerësuar i pari i PDK-së.