ARKIV - Votimet në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale - Foto: Atdhe Mulla

Kosova hyn në ethet e Zgjedhjeve Lokale nga kjo fundjavë

Nga kjo fundjavë, Kosova hyn në një muaj të nxehtë politik. Të shtunën më 13.09.2025, nis zyrtarisht fushata për Zgjedhjet Lokale 2025, që do të mbahen më 12 tetor.

E para që ngre siparin e garës është Lëvizja Vetëvendosje, e cila do të hapë fushatën të premten mbrëma në orën 19:00. Një ditë më pas, fushatën do ta hapin Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe partitë e tjera më të vogla, duke shënuar nisjen e betejës elektorale në të gjitha komunat e vendit.

Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 105; 191 Partia Demokratike e Kosovës; 113 Lidhja Demokratike e Kosovës; 174 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 186 NISMA Socialdemokrate; 170 Lista Serbe; 103 Alternativa; 118 Partia Guxo; 149 Partia Socialdemokrate.

Në këtë link mund të gjeni listën e plotë të numrave të subjekteve politike.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,626, prej të cilëve: 206 kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe 5,420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Në mbedhjen e mbajtur më 07.09.2025, KQZ mori vendim që për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave të shtypen 1,800,410 fletëvotime dhe po aq, 1,800,410, edhe për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

KALLXO.com prej ditës që fillon fushata zgjedhore do të nisë ciklin e debateve zgjedhore “DebatPërnime”, duke i vënë përballë njëri-tjetrit dhe premtimeve të tyre kandidatët për kryetarë të komunave.

Shtypja e fletëvotimeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.

Përveç fletëvotimeve do të shtypen edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në kuadër të këtyre fletëvotimeve të shtypura hyjnë votimet e rregullta, votimi me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votim me postë.

Në këtë proces zgjedhor, KQZ ka njoftuar se do të shtypen 13% apo 268 mijë e 688 fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ është: 2,069,098.

Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43 mijë e 993 votues.

KQZ theksoi se procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2 mijë e 625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2 mijë e 571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 17.10. 2021. Në zgjedhjet e kaluara ka prirë LDK për nga numri më i madh i votave, e pasuar nga LVV,  e treta PDK, dhe e katërta AAK.

Derisa Kosova po afrohet drejt Zgjedhjeve Lokale nuk është arritur funksioni i Kuvendit të Kosovës e as formimi i Qeverisë, që shtat muaj pas mbajtjes së Zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura më 09.02.2025.

Zgjedhjet lokale nën hijen e bllokadës qendrore