Ilustrim, Foto: Reuters

Konsumi i madh i drogës në Prishtinë, cili është shpjegimi i kryeprokurorit të Prishtinës

Kryeprokurori i ri i Prishtinës, Zejnullah Gashi në një intervistë në #KallxoPernime ka folur edhe lidhur me konsumin e madh të drogës në Prishtinë.

Ai ka thënë se kjo është një barrë e madhe në shoqërinë tonë dhe sipas tij vetëm një veprim hetimor i Prokurorisë nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar çdo lloj aktiviteti me narkotikë.

Gashi tha se në këtë pjesë ndikojnë edhe faktor të tjerë, përpos detyrave dhe përgjegjësive që kanë forcat e rendit dhe organet e drejtësisë.

Kryeprokurori tha se Prokuroria e Prishtinës i trajton me seriozitet të madh këto raste dhe sipas tij ka shumë aktakuza në raste të tilla.

“Problem i theksuar është që rezultatet e ekzaminimeve në të cilat ne hasim në vështirësi nga ana e Policisë, Forenzikës, të cilët për shkak të numrit të madh të kërkesave të policisë ata nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm që t’i përfundojnë ato lëndë” – u shpreh Gashi.

Ai tha se për shkak të rezultateve që po vonojmë, Prokuroria nuk po mund t’i procedoj rastet tutje.