Vrasjet në kryeqytet në sytë e kryeprokurorit të ri të Prishtinës 

Një kalimtare e rastit mbeti e vrarë si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri në mes dy grupeve jo më larg se katër ditë më parë, më 26.03.2024, në Prishtinë.

Në këtë rast i vrarë mbeti edhe një person tjetër, i cili ishte i përfshirë në konfliktin që patën grupet me njëra tjetrën.

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, nuk po e gjen rehatinë tash e disa muaj nga gjuajtjet e shpeshta me armë zjarri që po prishin qetësinë e qytetarëve.

Po gjatë këtij muaji, më 04.03.2023, nga një konflikt tjetër që patën dy familjet Capa e Sekiraqa, në kryeqytet zhurmoi prapë arma e zjarrit.

E për këto raste të shpeshta, në një intervistë në #KallxoPernime foli edhe kryeprokurori i ri i Prishtinës, Zejnullah Gashi.

Ai tregoi për veprimet hetimore që po i merr Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për të zbuluar, por edhe për të parandaluar këto ngjarje që po tronditin vendin.

Sipas kryeprokurorit, kërkohet që në nivel të republikës të ketë një analizë më të thellë që të tregohet më saktë se çfarë po ndikon që të ketë raste të shpeshta të vrasjeve.

Tutje ai tha se në shumë raste angazhimi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe i Policisë së Kosovës në një kohë të arsyeshme ka arritur që të zbuloj raste, siç është edhe rasti i Liridona Ademajt, në vrasjen e së cilës i dyshuar është edhe bashkëshorti i saj.

“Me angazhimin e prokurorisë dhe policisë edhe veprat më të rënda penale, të cilat kanë qenë edhe më herët siç është rasti i Liridona Ademaj, edhe më herët i Bedri Rexhepit e të tjera, për një kohë të arsyeshme prokuroria dhe policia i kanë zbuluar kryesit e veprave penale” – u shpreh Gashi.

Kryeprokurori tha se kjo është ajo që e kanë në dorën e tyre.

Sipas tij, puna e prokurorisë është që t’i zbuloj kryesit dhe t’i sjelli ata para drejtësisë, duke siguruar prova dhe dëshmi që të njëjtit të marrin dënimin e merituar.