Gashi thotë se do të merren masa ndaj prokurorëve që lirojnë recidivistët në procedurë të rregullt 

Në rastet kur prokurorët lirojnë recidivistët në procedurë të rregullt, ndaj tyre do të merren masa.

Kështu të paktën premtoi kryeprokurori i ri i Prishtinës, Zejnullah Gashi, në një intervistë në #KallxoPernime.

 

“Sa i përket rasteve të tilla, në cilësinë e kryeprokurorit të Prishtinës do t`i analizoj të gjitha rastet e tilla dhe nëse ka vend që një prokuror ka bërë ndonjë lëshim, patjetër se do të merren masa ndaj prokurorit” – u shpreh kryeprokurori.

Ai tha se masa ndaj prokurorëve të tillë do të merren jo vetëm në aspektin disiplinor, por edhe tek vlerësimi i performancës së prokurorit nëse gjendet se ka neglizhencën raste të tillë.

Kryeprokurori tha se për momentin nuk mund të konfirmoj që mund të ketë raste të tilla në Prokurorinë e Prishtinës.

Ai tha se diçka e tillë nuk duhet të ndodhë, aq më tepër kur bëhet fjala për vepra të rënda penale.

“Nuk mund të them që ka raste ku një person i ka 10 raste, është recidivist dhe lirohet në procedurë të rregullt” – u shpreh Gashi.

Ai tutje shtoi se në bazë të përvojës së tij si prokuror në Departamentin për Krime të Rënda në asnjë rast nuk lëshohet në procedurë të rregullt një kryes i veprës penale apo një recidivist, pra dikush që ka të kaluar kriminale.