Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

A ka Prokuroria e Prishtinës qasje të butë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje?

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nga ana e organeve të rendit shumë herë kritikohet nga qytetarët e vendit.

Shoqëria civile në vazhdimësi ka pasur kritika ndaj organeve të drejtësisë për trajtim të rasteve të tilla, të cilat dhjetëra herë kanë quar edhe në vrasjen e grave.

Kryeprokurori i ri i Prishtinës, Zjenullah Gashi në një intervistë për #KallxoPernime ka treguar nëse prokurorët kanë një qasje të butë në trajtimin rasteve të tilla.

Sipas Gashit, raste të tilla janë duke u trajtuar me seriozitetin më të madh, teksa shtoi se një sfidë e tyre është sigurimi i provave.

“Ky fenomen kriminal i pranishëm në shoqërinë tonë, është barrë e madhe e shoqërisë. Tani më për shkak të numrit të madh të rastit, patjetër që duhet një qasje pak më strategjike” – tha Gashi.

Ai shtoi se duhet të ketë komunikim me institucionet tjera dhe me shoqërinë civile në mënyrë që të gjendet një rrugë edhe sa i përket bashkëpunimit po edhe sensibilizimit që këto raste të mos jenë në numër kaq të madh.

Gashi tha se në rastet e dhunës në familje shpeshherë iu ndodhë që të kenë vetëm një deklaratë të palës së dëmtuar dhe të dyshuar.

“E kemi të vështirë pasi kemi jo pak raste kur pala e dëmtuar tërhiqet nga deklarata për shkak të mos prishjes së raportit bashkëshortor që e kanë apo të lidhjeve të tjera” – tha kryeprokurori.

Kjo tha se nuk e bënë të lehtë që prokurori i rastit të vendos me vetëm një deklaratë.

Ai premtoi se gjatë mandatit të tij do të tentoj që prokurorët të profilizohen dhe të kryejnë trajnime për trajtimin e këtyre rasteve .

Gashi tha se në ngjarje të tilla duhet të ketë qasje strategjike dhe shumë dimensionale.