Konjufca kritikon ministrat për mungesën e tyre në seancën e Kuvendit

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Glauk Konjfuca ka kritikuar ministrat e Qeverisë për mospraninë e tyre.

Konjufca tha se është mungesë e përgjegjësisë nga ana e ministrave të cilët nuk janë në seancën e Kuvendit.

“As për ligjin e ardhshëm nuk po e shoh që ministri është këtu ta prezantojë. Po du me ua dhënë një vërejtje ministrave. Është mungesë e përgjegjësisë, është elementare… të gjithë ministrat që nga e hëna e kanë marrë agjendën dhe e kanë parë se kush cilin projektligj do ta prezantojë”- tha Konjufca.

Kryeparlamentari këto deklarata i bëri kur në rend të ditës ishte pika 14 në lidhje me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare.