Konjufca dënon sulmin fizik ndaj ekipit të "Nacionales" në Prizren

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar sulmin ndaj ekipit të portalit “Gazeta Nacionale”, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit Arbër Latifi, në protestën e organizuar në Prizren.

Konjufca ka thënë se pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranueshme.

“Pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranueshme. Si të tilla, i dënoj me bindjen se nuk i shërbejnë aspak synimeve tona si shoqëri. Media përbën hapësirën dhe mjetin përmes të cilit fjalët dhe qëndrimet e shprehura publikisht gjejnë mundësinë për shtrirje dhe trajtim më të gjerë të një çështjeje, ndërsa pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike”- ka shkruar Konjufca.

Kryeparlamentari u ka bërë thirrje organeve të rendit të hetojnë dhe vlerësojnë menjëherë rastin.

“Bëj thirrje që organet kompetente ta hetojnë dhe vlerësojnë rastin menjëherë në kuadër të përgjegjësisve dhe detyrave të tyre përkatëse”- ka theksuar ai.

Policia në Prizren ka konfirmuar se është arrestuar një i dyshuar lidhur me sulmin ndaj ekipit të gazetarëve të “Gazetës Nacionale”, sot në Prizren gjatë protestës së thirrur kundër festivalit “DokuFest”.

“Hetimet i kemi filluar me Prokurorinë e shtetit për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Momentalisht nuk mund të jap më shumë informacione”-ka deklaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

Gashi ka shtuar se me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

VIDEO – Protestohet kundër festivalit ‘DokuFest’ në Prizren, sulmohen gazetarët