Kongresisti amerikan bisedon me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jonathan Finer, lidhur me tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Torres ka thënë se Finerit i ka përcjellë nevojën për të mbështetur marrëdhëniet speciale SHBA-Kosovë.

“Si kongresmen për Bronx-in, duke përfaqësuar mijëra shqiptarë nga Kosova, i përcolla nevojën për të mbështetur marrëdhëniet speciale SHBA-Kosovë – të cilën ai e kupton thellësisht – dhe nevojën që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të trajtojë Kosovën me drejtësi dhe respektin që e meriton si një shtet-komb sovran”- ka shkruar Torres në Twitter.

Ai tha se e ka përfunduara bisedën duke u ndjerë i sigurt se Finer e di rëndësinë kritike të mbajtjes dhe forcimit të marrëdhënieve SHBA-Kosovë.

 

Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Kryetarët e katër komunave në veri të vendiit u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.