Kurti në takim me emisarin Peach: Kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë po i kontribuon situatës së sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, lordin Stuart Peach, në takimin e gjashtë ndërmjet tyre këtë vit.

Sipas njoftimit, ata diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situatën e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundërajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Europë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.

Në këtë takim, Kurti ka thënë se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti falënderoi emisarin Stuart Peach për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.

“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”- thuhet në njoftim.

Pas sulmit terrorist që u krye ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon, misioni  i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se ka shtuar numrin e ushtarëve.

Numri i trupave është shtuar për të forcuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe për patrullimin përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

KFOR ka thënë se një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania kanë mbërritur në Kosovë dhe i janë bashkuar kontingjentit të Britanisë së Madhe, 400 të dislokuar tashmë, për të përforcuar NATO-n në Kosovë.

Arrijnë në Kosovë mbi 330 trupa të KFOR-it nga Britania e Madhe dhe Rumania