Konfirmohet arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, dyshohet për trafikim të narkotikëve

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë së Shtetit kanë konfirmuar se paraditen e sotme është arrestuar në Tiranë asamblisti i Vetëvendosjes në Prishtinë, Besnik Mujeci.

Të arrestuarin tashmë, LVV-ja e kishte vendosur si aksionar në ndërmarrjen lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë në qershor të këtij viti.

Ai dyshohet për trafikim dhe shitje të narkotikëve.

Të njëjtat burime e kanë konfirmuar me fotografi se bëhet fjalë për asamblistin e Vetëvendosjes.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë një operacioni policor të koduar “Punisher 2”, janë arrestuar dy shtetas nga Kosova dhe tre nga Shqipëria nën dyshimin se të njëjtit trafikonin substanca narkotike.

Sipas Policisë, të arrestuarit janë Mithat Ramadani 30 vjeç dhe Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Sipas Policisë, shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11,300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Tutje, Policia sqaron se nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë – Tiranë.

“Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”- ka thënë në konferencën për media, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë, Tonin Vocaj.

Raportimet për arrestimin e asamblistit Mujeci në Shqipëri, flet shefi i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë