Raportimet për arrestimin e asamblistit Mujeci në Shqipëri, flet shefi i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë

Mediat në Kosovë janë duke raportuar se njëri nga të arrestuarit në Shqipëri për transport të substancave narkotike, Besnik Mujeci, është asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Prishtinë.

I njëjti po ashtu është edhe aksionar në ndërmarrjen lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë. Në këtë pozitë është emëruar në qershor 2023.

KALLXO.com ka kontaktuar shefin e asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçlën, për të marrë konfirmim nëse bëhet fjalë për asamblistin e tyre, mirëpo ai ka thënë se s’ka informacione.

“Krejt çka kam informacione deri më tani është, ato të cilat i kemi parë nëpër media, edhe nuk mundem as me konfirmu e as me mohu, për shkak që unë kam tentu me thirr Besnikun, telefoni ka dalë i mbyllur. Nuk kemi ndonjë informacion as prej familjarëve të tij, krejt çka di është ajo që kam lexuar në media”- tha ai.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë një operacioni policor të koduar “Punisher 2”, janë arrestuar dy shtetas nga Kosova dhe tre nga Shqipëria nën dyshimin se të njëjtit trafikonin substanca narkotike.

Sipas Policisë, të arrestuarit janë Mithat Ramadani 30 vjeç dhe Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Sipas Policisë, shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11,300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Tutje, Policia sqaron se nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë – Tiranë.

“Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci”- ka thënë në konferencën për media, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë, Tonin Vocaj.

Policia e Shqipërisë arreston dy shtetas nga Kosova, dyshohen për transport të substancave narkotike – VIDEO