Në përpjekjen e tetë formohet komisioni hetimor për rezervat shtetërore, polemika mes pozitës e opozitës

Në përpjekjen e tetë është konstituuar komisioni hetimor parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Prezent nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (i cili ka bojkotuar mbledhjet e komisionit deri më sot) ishte vetëm deputeti Halil Thaqi, i cili tha se si grup parlamentar kanë pasur një qëndrim publik e nuk marrin pjesë konstituim të komisionit pa u votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne si grup parlamentar kemi pasur një qëndrim publik, ne nuk kemi marrë pjesë në konstituimin e këtij komisoni parlamentar për arsye të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Pas reflektimit të një pjese të opozitës ne kemi vendosur që të jemi pjesë e konstituimit të këtij komisioni edhe pse qëndrimet për këtë komision dihen”- tha Thaqi.

“Është vullnet i 40 deputetëve që kanë vendosur ta themelojnë këtë komision dhe ne si mazhorancë e kemi votuar përbërjen e këtij komisioni, por ne nuk kemi marrë pjesë për arsye të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”- shtoi ai.

Thaqi ka kërkuar nga kryetari i komisionit, Rashit Qalaj (nga PDK-ja), që të japë një qëndrim në lidhje me deklaratat e këtj të fundit se ka paralajmëruar arrestimin e ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari. Kjo deklaratë e deputetit të LVV-së ka shkaktuar një përplasje mes opozitës dhe pozitës.

“Unë kërkoj edhe prej teje kryetar qëndrimin tënd rreth deklaratave tuaja publike që keni bërë në lidhje me ministren Hajdari që keni paralajmëru arrestimin e saj, unë kërkoj që edhe një herë të deklarohesh për ato deklarata publike që keni deklaruar se do arrestohet ministrja, gjë të cilën kur e kam pa që jeni kryetar, e kam pa tendencioze formimin e komisionit”- tha Thaqi.

“Në këtë komision gjithmonë kemi folë për dyshimet e mundshme për keqpërdorime”- iu përgjigj kryetari i komisionit, Rashit Qalaj.

Kurse deputetja e LDK-së, Doarsa Kica- Xhelili, tha se nuk e ka për obligim t’i justifikojnë qëndrimet e tyre.

“Nuk e kemi për obligim që askujt t’i justifikohemi për qëndrime tona”- u shpreh Kica Xhelili.

“Obligimet e tua dihen botërisht, dihet se çfarë obligimi ke ndaj votuesve tu, dihet obligimin që e ke, leje se e ke ndryshu qasjen. Mos më shit moral politik se nuk je ti për me shitë moral politik”- është kundërpërgjigjur deputeti i LVV-së.

Thaqi insistoi se kërkon një qëndrim nga kryetari i komisionit, përderisa Qalaj i tha se nuk i jep qëndrime deputetit të LVV-së.

“O Halil nuk të jap qëndrime ty, jam kryetar i këtij komisioni. Nëse do – votoje, nëse do – jo, o burrë”- tha Qalaj.

“Në rregull është ajo punë, unë kërkoj prej teje si kryetar i këtij komisioni qëndrimin tënd që ti e ke dhënë në media, a qëndron po du me ma përsëritë. Përsërite!”- vazhdoi deputeti Thaqi.

Kryetari i Komisonit ka sqaruar se deklaratat e deputetit të LVV-së nuk qëndrojnë dhe se në mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, LDK-ja ka kushtëzuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me konstituimin e komisionit për rezervat.

Qalaj theksoi se nuk është vullneti i LVV-së për konstituimin e komisionit, por kjo po ndodh pas një konsensusi të arritur në Kryesinë e Kuvendit.

“Nuk qëndron ajo që po e thua Halil. Mirëpo fillimisht në takimin e mbajtur të Kryesisë, ata e kanë shqyrtu një letër që ja kemi dërgu ne si pjesë e komisionit dhe kemi kërkuar nga Kryesia që të vendoset se çka të bëhet tutje. Në Kryesi është diskutu letra dhe nga deputeti i LDK-së është bërë e qartë që meqë janë propozues nuk do i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, ky komision nuk konstituohet dhe rezultat i kësaj jemi këtu, nuk është vullneti i LVV-së por një konsensus që është arritur në kryesinë e Kuvendit”- ka deklaruar Qalaj.

Ai në fund tha se sipas marrëveshjes së arritur në mbledhjen e kryesisë mes grupeve parlamentare, komisioni do t’i ketë gjashtë muaj mandat duke filluar nga dita e sotme teksa paralajmëroi se takimi i ardhshëm do të mbahet të hënën në ora 10:00.

Konstituim i këtij komisioni ka dështuar shtatë herë radhazi, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marr pjesë në mbledhje.

Kuvendi i Kosovës me 69 vota pro themeloi në shtator të këtij viti komisionin hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Pushteti kritikohet për bllokimin e konstituimit të komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore