Presidenca logo/Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
ZKA: Presidenca mbuloi 10 pozita me ushtrues detyre jashtë afatit ligjor
Mbajtja e 10 pozitave me ushtrues detyre për më shumë se dy vite është një nga tri gjetjet kryesore të raportit të auditimit për vitin 2025 të Presidencës.
ZKA-ja ka gjetur se në 10 raste pozitat brenda Presidencës ishin mbuluar me u.d. përtej afatit të lejuar prej dy viteve.
Menaxhmenti u arsyetua se procedurat e rekrutimit të iniciuara në vitin 2025 ishin anuluar pas ankesave në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.
Auditori ka paralajmëruar se kjo praktikë rrezikon që pozitat kyçe të mbahen nga persona që nuk i plotësojnë kriteret adekuate.
“Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurojë plotësimin e pozitave me staf të rregullt të punës”- shkruan në raport.
Edhe në raportin për vitin 2024 ZKA kishte gjetur po ashtu se në 15 raste në Presidencë pozitat e rregullta të punës mbaheshin me Ushtrues Detyre përtej afatit ligjor.
Sipas ZKA-së, Njësia e Auditimit të Brendshëm, e cila operon vetëm me një zyrtar (udhëheqësin e njësisë), dështoi të përmbushte planin vjetor.
Nga katër auditimet e planifikuara për vitin 2025, u realizuan vetëm dy. Sipas auditorit, ky dështim zvogëlon sigurinë e menaxhmentit mbi kontrollet e brendshme dhe rrit mundësinë e identifikimit të vonuar të dobësive brenda presidencës.
ZKA rekomandon që Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurohet se Njësia e Auditimit të Brendshëm vepron në mënyrë efektive, në mënyrë që t’i shtoj vlerë përmirësimit të aktiviteteve operative dhe cilësisë së kontrolleve të brendshme aktuale.
Një tjetër çështje e evidentuar lidhet me menaxhimin e parasë publike dhe mungesën e transparencës në kontratat zyrtare.
Sipas ZKA-së, në 6 raste menaxherët e kontratave nuk e kanë përdorur modulin elektronik të e-prokurimit për vlerësimin e performancës së kontraktuesve, siç e kërkon Neni 70.2 i Rregullores për Prokurimin Publik.
ZKA-ja ka konstatuar se kjo erdhi si pasojë e mungesës së njohurive të zyrtarëve dhe mungesës së mbikëqyrjes e mbështetjes nga Zyra e Prokurimit.
Rekomandimi i ZKA-së është që Sekretari i përgjithshëm të sigurojë që menaxherët e kontratave të bëjnë administrimin dhe implementimin e kontratave nëpërmjet modulit për menaxhim të kontratave në sistem të prokurimit elektronik për të siguruar vlerësim adekuat të performancës së kontaktuesëve dhe informata mbi progresin e implementimit të kontratës.
Përmes një letërkonfirmimi zyrtar të datës 08.05. 2026, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Presidentit, Fehmi Mehmeti, ka konfirmuar se pajtohet plotësisht me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e raportit. Mehmeti ka deklaruar se brenda 30 ditëve do të dorëzohet plani i veprimit për zbatimin e tri rekomandimeve të dhëna nga ZKA-ja.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë Presidencës një opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare, por ka shpërfaqur ngecje në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe të kontratave publike. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Raporti për vitin 20215 përmban tri rekomandime, prej tyre dy rekomandime të reja dhe një pjesërisht të përsëritur.
Nga dy rekomandimet e vitit paraprak (2024), presidenca kishte arritur të zbatonte plotësisht vetëm njërin prej tyre.
Në aspektin e planifikimit financiar, raporti tregon se buxheti i Zyrës së Presidentit pësoi ndryshime të mëdha gjatë vitit.
Buxheti fillestar prej 6,134,519 euro u zvogëlua për 1,257,453 euro me vendim të Qeverisë për kursime buxhetore, duke përfunduar në një buxhet final prej 4,877,066 euro.
Sipas ZKA-së, Presidenca shpenzoi 4,367,086euro (apo 90% të buxhetit final), që përbën një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2024.
Shpenzimet më të mëdha u regjistruan në kategorinë “Mallra dhe shërbime” (2,442,915 euro) dhe “Paga dhe mëditje” (1,253,729 euro – realizim 100%).
Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.
Auditori: Në 15 raste në Presidencë kemi hasur pozita me Ushtrues Detyre përtej afatit ligjor