Foto: Screenshot

Kina mohon se ka pranuar kërkesë nga Rusia për ndihmë në luftën në Ukrainë

Kina zyrtare ka deklaruar se nuk i janë kërkuar nga Rusia pajisje ushtarake apo ndihmë tjetër për ta mbështetur luftën e saj në Ukrainë.

Dy zyrtarë amerikanë i thanë CNN të dielën se Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake, përfshirë dronët, si dhe ndihmë ekonomike për pushtimin e saj të paprovokuar.

Duke folur të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian tha në një konferencë për media se SHBA “po shpërndan dezinformata”.

“Kohët e fundit, pala amerikane ka shpërndarë dezinformata kundër Kinës për çështjen e Ukrainës me qëllime të liga”, tha Lijian kur u pyet për kërkesën ruse për ndihmë.

“Pozicioni i Kinës për çështjen e Ukrainës është konsistent dhe i qartë, dhe ne kemi luajtur një rol konstruktiv në promovimin e bisedimeve për arritjen e paqes atje. Është e domosdoshme që të gjitha palët të ushtrojnë përmbajtje dhe të qetësojnë tensionin, në vend që t’i hedhin benzinë ​​zjarrit; Është e rëndësishme që të bëhet përpjekje për një zgjidhje diplomatike, në vend që të përshkallëzohet më tej situata”.Sot, është dita e 19-të e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada. Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës. 

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës dhe së bashku me Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe dhe NATO-n e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./CNN