Këshilltari i Kurtit për bllokimin e kosovarëve në Serbi: Të gjithë po mbahen peng, mes tyre edhe zv/drejtori i Policisë

Jeton Zulfaj, këshilltar për çështje evropiane dhe rajonale në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë se në mesin e të ndaluarve nga autoritetet e Serbisë në pikat kufitare është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga komuniteti serb.

Të gjithë të bllokuarit, mes tyre dhjetëra fëmijë, sipas tij,“po mbahen peng pa u siguruar ushqim dhe mjekim”.

“Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim”  – ka shkruar Zulfaj në rrjetin social “X” më 17.04.2024.

Sipas tij, kjo është një shkelje e hapur e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes në Procesin e Berlinit midis BB6 dhe një përpjekje për të përshkallëzuar tensionet.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka reaguar pasi që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe.

Sipas von Cramon, Serbia duhet të ndalojë “së turpëruari veten” dhe duhet të sigurojë lirinë e lëvizjes së të gjithëve.

“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lejoj qytetarët me pasaportë dhe letërnjoftim të Kosovës që të kalojnë kufirin Serbi-Kroaci në Batrovci. Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve pa diskriminim në bazë të kombësisë” – thuhet në reagimin e Von Cramon më 17.04.2024

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas MPJD-së, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

Sipas tyre, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.