Kërkohet paraburgim për një person të dyshuar për mashtrim të qindra qytetarëve të Kosovës me viza pune

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar paraburgim ndaj Sh.C., i cili dyshohet  se ka kryer veprat penale – mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se Sh.C., nga data 12.09.2019 e deri në muajin shtator 2021, në agjencinë “BCD Travel” ka mashtruar 120 persona.

“Duke përdorur dokumente të falsifikuara kanë hapur agjencinë e lartcekur, kështu duke  i mashtruar të dëmtuarit kinse për t’ju siguruar viza pune për në shtetet perëndimore dhe skandinave, për të cilat shërbime të aplikimit përmes kontratave të pavërteta, të dëmtuarit kanë paguar shuma të caktuara të parave me premtimin se do t’i marrin vizat, mirëpo pas përpjekjeve për të kontaktuar me personat përgjegjës, të pandehurit nuk janë lajmëruar, me ç’ rast të dëmtuarve ju kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, deri më tani, në këtë çështje penale janë të dëmtuar mbi 420 persona si dhe është shkaktuar dëmi në vlerë mbi 500.000 euro.

Tutje sipas njoftimit, prokurori i çështjes është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore dhe trajtimin e rastit në fjalë, pasi synimi kryesor është luftimi i suksesshëm i krimit dhe sigurimi i sundimit të ligjit si dhe mos të bien pre e mashtrimeve të tilla qytetarët e Republikës së Kosovës.