KEK: Disa nga kërkesat e punëtorëve nuk mund të zbatohen tani

Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar, pas protestës së punëtorëve të kësaj kompanie të mbajtur sot. KEK-u i quan të drejta e kërkesat e punëtorëve, por kërkon mirëkuptim për trajtimin e tyre.

Sipas komunikatës së KEK-ut, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, ka pasur takim edhe më herët me Sindikatën e re të KEK (SR-KEK) lidhur me kërkesat e punëtorëve që u përmendën edhe gjatë protestës së sotme.

“KEK-u e ka marrë seriozisht këtë problem dhe së bashku Bordin dhe me menaxhmentin, do të mundohen të adresojnë në mënyrë rrënjësore, të planifikuar e sistematike (e jo me improvizime afatshkurtra), si një nga sfidat kryesore te korporatës. Mirëpo kjo çështje është kompetencë e menaxhmentit dhe Bordit të KEK”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket kërkesës së SR të punëtorëve, për bonuset – pagën e 13-të, KEK-u potencon se kjo çështje është e bordit të drejtorëve të korporatës.

“Çfarëdo kompensimi shtesë mbi kompensimet e rregullta është vlerësim dhe kompetencë ekskluzive e bordit të drejtorëve i cili vlerësim bëhet vetëm pas certifikimit të rezultateve financiare të Korporatës dhe nuk është pjesë e pazareve me sindikatën. Për më tepër KEK sh.a. aktualisht nuk ka bord të drejtorëve”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa kërkesa për sigurimi shëndetësor, sipas KEK-ut, është valide dhe e drejtë sepse punëtorëve iu ishte kompensuar vetëm 25% e përfitimeve të disa nga shërbimet shëndetësore si ato dentare, optike etj.

Ky problem, sipas KEK-ut tanimë është adresuar nga menaxhmenti dhe nga data 01.12.2021 të gjithë të punësuarit janë të siguruar me kontratën për shërbimet e sigurimit shëndetësor me përfitime të plota një vjeçare.

Sa i përket kërkesës për zbatimin e Marrëveshjes Kolektive – sektoriale, KEK -u konstaton se nuk mund të zbatoj një marrëveshje të skaduar.

“Siç edhe është dëshmuar me aktgjykime nga gjykatat e instancave të larta, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk është në fuqi prej datës 31.12.2017. Menaxhmenti i KEK Sh.A është i gatshëm të jap kontributin e nevojshëm për një Marrëveshje Kolektive Sektoriale në rast se fillohet një iniciativë e tillë për gjithë sektorin”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës për sigurimit të pajisjeve personale mbrojtëse për punëtorë si dhe mjetet higjienike, menaxhmenti i KEK-ut pohon se ka filluar procedurat për sigurimin e pajisjeve personale mbrojtëse dhe premton se do të punojë që kjo çështje të përfundohet brenda këtij muaji.

KEK-u po ashtu premton se do ta trajtojë me kujdes kërkesën e punëtorëve për kushtet e punës për të punësuarit e saj, pasi, siç thuhet në komunikatë, ata punojnë në kushte specifike sektoriale.

“KEK së shpejti do të fillojë procedurat me qëllim të vlerësimit të secilit vend të punës për sa i përket rrezikshmërisë – kushteve të punës. Pasi të përfundojë ky proces dhe të kemi një vlerësim real të vendeve me rrezikshmëri të shtuar do të përmbushim obligimet për këtë kategori të punëtorëve tanë”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

Sindikata e Re e KEK-ut proteston dhe kërkon realizimin e pesë kërkesave të tyre (kallxo.com)