Komisioni zgjedhor i zgjedhjeve /Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Katër parti nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë
Katër pati politike nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Më 12.05.2026 është përmbyllur afati për subjektet politike për të dorëzuar online listën me emrat e kadidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Partitë që nuk i kanë dorëzuar listat janë: Kosovo Savez, Partia Balliste, Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale dhe Yenklici Turk Hakaret Partisi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Kallxo.com se gjatë periudhës 11-ditore (2 maj – 12 maj 2026) KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. 4 parti politike, të cilat më herët kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje, nuk kanë dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Ai tregoi se numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto 23 subjekte politike, është 917, prej të cilëve 603 burra dhe 314 gra.
Sipas planit të miratuar më herët nga KQZ, procesi i certifikimit të kandidatëve për deputetë, pritet të përmbyllet deri më 15 maj, por paraprakisht, do të shqyrtohet nëse kandidatët përmbushin kriteret ligjore.
Edhe dy ditë kohë kanë mbetur për verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë dhe 3 ditë na ndajnë nga shorti i numrit garues të partive.
Ndërsa më 16.05.2026, është afati kur subjektet politike do kuptojnë se me cilin numër do garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Sa i përket certifikimit të listës së kandidatëve, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, shqyrtimi i listës bëhet nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar e cila funksionon në kuadër të KQZ-së.
Kandidatët të cilët do kalojnë në filtrat e verifikimit nga kjo zyrë mund të aprovohen dhe refuzohen nëse nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara nga ky ligj.
Pas verifikimit të listave dhe në rast se aprovohen ato, KQZ certifikon kandidatët dhe u mundësohet garimi në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit por në rast se ka kandidat të cilët nuk i plotësojnë kriteret, subjekti politik njoftohet që të korrigjoj listën dhe nuk arrin certifikim deri pasi të kalohen të gjithë filtrat e verifikimit nga KQZ-ja.
Subjektet politike kanë të drejtë ankese në PZAP në rast se nuk pajtohen me vendimet për moscertifikim të ndonjë kandidati brenda listës së tyre.
Partitë të cilat u është dashur të dorëzojnë listat e kandidatëve nga 22 subjektet politike të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: Partia Socialdemokrate, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Socialdemokrate, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Srpska Lista, Yenilikçi Türk Hareket Partisi, Lidhja Demokratike e Kosovës, Fjala, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska Partija, Kosova Demokratik Türk Partisi, Nova Demokratska Stranka, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Kosovski Savez, Partia Balliste, Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale, Partia Liberale Egjiptiane, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Stranka Demokratske Akcije dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Poashtu partive të cilat kanë formuar koalicion për të marrur pjesë në zgjedhje u është dashur të dorëzojnë listat e kandidatëve, këto koalicione janë: Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT), Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).
Sllogani i zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit është “Kosova Voton”.