Kandidati opozitar turk, Kilicdaroglu, premton 'demokraci të vërtetë' në Turqi në rast të fitores në zgjedhjet e 14 majit

Njeriu që shpreson ta rrëzojë Rexhep Tajip Erdoganin nga pozita e presidentit të Turqisë në zgjedhjet e kësaj fundjave, thotë për DW se dëshiron ta kthejë politikën e jashtme turke për “180 gradë” dhe “ta sjellë demokracinë e vërtetë në këtë vend”.

Kandidati për president të Turqisë Kemal Kilicdaroglu ka thënë për DW se ai dhe aleanca e tij gjashtëpartiake do ta “përmbushin dëshirën e njerëzve për demokraci” dhe do të “kthehen drejt Perëndimit” në çështjet e politikës së jashtme, nëse do të jenë të suksesshëm në zgjedhjet e së dielës.

“Ne do ta përmbushim dëshirën e njerëzve për demokraci. Ky është ndryshimi më i madh dhe nuk do të shihet vetëm këtu në Turqi, por në të gjithë botën”, ka thënë Kilicdaroglu për DW. “Ne do ta sjellim demokracinë e vërtetë në këtë vend”.

Sondazhet sugjerojnë se Aleanca Kombëtare me Kilicdaroglun si kandidat – për një kohë të gjatë lider i CHP-së së qendrës së majtë, partia e dytë më e madhe politike në Turqi pas AKP-së së Presidentit Recep Tayyip Erdogan – mund ta përbëjë kërcënimin më të madh për Erdoganin në 20 vitet e tij në pushtet.

Edhe pse jane të ndryshëm në atë se cili kandidat ka avantazh në ditët para votimit, anketuesit e opinionit janë dakord se zgjedhjet presidenciale të Turqisë duhet të jenë afër.

Të sigurt për pjesëmarrje të lartë dhe fitore 

Kilicdaroglu i ka thënë korrespondentit të DW për Turqinë, Julia Hahn më shumë se një herë se ai është i sigurt për fitoren gjatë diskutimit të tyre në autobusin e fushatës së tij në periferi të një ngjarjeje në qytetin verior të Bolu.

Bolu është një nga qytetet të cilin partia CHP e Kilicdaroglu e rifitoi nga AKP e Erdoganit në zgjedhjet lokale në vitin 2019, si fitoren më të rëndësishme me siguri në Stamboll.

“U thashë njerëzve të shkojnë në qendrat e votimit dhe të votojnë dhe shumë njerëz do të shkojnë atje dhe do të votojnë në këto zgjedhje. Do të fitojmë dhe do ta largojmë Erdoganin”, tha ai.

Votimi i hershëm për qytetarët turq me të drejtë vote që jetojnë jashtë Turqisë, me rreth 1.5 milionë prej tyre që banojnë në Gjermani, është mbyllur të martën.

Temat vendase dhe ndërkombëtare kanë luajtur një rol në gjurmët e fushatës. Çështjet përfshijnë turbulencat ekonomike dhe inflacionin e lartë (72% nga viti në vit në 2022), pasojat e një tërmeti të madh në Turqinë juglindore në fillim të këtij viti, numrin e lartë të refugjatëve sirianë që po ikin nga lufta civile të cilet jetojnë në Turqi dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia, pozicioni i ndërlikuar i Ukrainës dhe i Turqisë si një anëtare e NATO-s, e vendosur shumë afër kufijve të Rusisë.

“Do ta kthejmë politikën e jashtme me 180 gradë”

I pyetur për politikën e jashtme, Kiliçdaroglu premtoi ndryshime të mëdha nëse fiton.

Nën Erdoganin, Turqia është angazhuar me Rusinë për një sërë çështjesh, të tilla siç është ndërmjetësimi i marrëveshjes për lejimin e eksporteve ruse dhe ukrainase të grurit të largohen përmes Detit të Zi, pavarësisht konfliktit.

Erdogan gjithashtu e ka mbajtur të stopuar për një kohë ofertën e Finlandës për t’u antarësuar në NATO dhe vazhdon të pengojë atë të Suedisë, duke pretenduar se vendet u ofrojnë strehim “terroristëve” besnikë ose ndaj rebelëve kurdë ose ndaj një rivali në mërgim të Erdoganit, Fethullah Gylen, i fajësuar për grushtin e dështuar të 2016-ës.

Dhe madje edhe para pushtimit të Ukrainës nga Moska zyrtare, blerja e pajisjeve të mbrojtjes ruse nga Turqia kishte shkaktuar tension brenda NATO-s.

“Ne jemi një anëtar i aleancës së NATO-s. Jemi gjithashtu një vend që kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Kilicdaroglu për DW. “Prandaj, ne do të kthehemi drejt Perëndimit dhe drejt qytetërimit perëndimor. Natyrisht, ne do të donim të kishim marrëdhënie të mira me Rusinë. Ne kemi shumë biznesmenë që punojnë atje. Por ne nuk mendojmë se pushtimi rus në Ukrainë është i drejtë dhe ne nuk e pranojmë një gjë të tillë”.

Kilicdaroglu tha gjithashtu se dëshiron ta ringjallë përpjekjen e stopuar prej kohësh të Turqisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, një proces që filloi zyrtarisht në vitin 1999 – disa vjet përpara se Erdogan të vinte në pushtet si kryeministër në vitin 2003 – por që ka pësuar regres në vitet e fundit.

“Ne do ta kthejmë politikën e jashtme të Turqisë rreth 180 gradë. Do t’i kthejmë në vendin tonë të gjitha rregullat demokratike të përcaktuara nga Bashkimi Evropian”, tha ai. “Udhëheqësit e aleancës sonë të opozitës gjashtëpalëshe kanë rënë dakord për të gjitha aranzhimet që duhet të bëhen brenda kësaj marrëveshjeje krnizë dhe ne do t’i zbatojmë ato në vendin tonë”.

Erdogan Aleanca e Kombëtare gjashtëpalëshe që shpreson ta rrëzojë kolektivisht Erdoganin

Kilicdaroglu, 74 vjeçar, ka punuar si ekonomist dhe nëpunës civil përpara se të futej në politikë. Ai udhëheqë partinë CHP-në që nga viti 2010 dhe nuk është i panjohur për ta mposhtur Erdoganin në kutinë e votimit.

Në kohën kur Erdogan ishte ende kryeministër i Turqisë përpara se të kalonte në postin e presidentit dhe të zhvendoste shumë pushtete drejt asaj zyre, Kilicdaroglu e udhëhoqi CHP-në në vendin e dytë në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2011. Por është hera e parë që udhëheqësi i CHP-së e prezanton veten si një kandidati presidencial kundër Erdoganit, me politikanë të tjerë që e kanë sfiduar presidentin aktual dhe kanë humbur në votat e fundit presidenciale.

Kilicdaroglu është në krye të një koalicioni prej gjashtë partish që e quan veten Aleanca Kombetare. Përveç CHP-së së tij të themeluar fillimisht nga themeluesi dhe presidenti i parë i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, koalicioni i gjerë përfshin dy fraksione të shkëputura më parë nga AKP-ja e Erdoganit dhe tri parti të tjera që konsideroheshin më konservatore se CHP.

Partitë pro-kurde si HDP u kanë kërkuar gjithashtu mbështetësve të tyre ta mbështesin Kilicdaroglun, duke kërcënuar një zonë tjetër ku AKP prirej të dilte mirë në qendrat e votimit për shkak të një lehtësimi gradual të konfliktit në rajon gjatë mandatit të Erdoganit.

Komentet e Kilicdaroglu për refugjatët sirianë në Turqi javën e kaluar tërhoqën gjithashtu vëmendjen ndërkombëtare. Me rreth 3.5 milionë sirianë në Turqi dhe durimin publik që po pakësohet me qëndrimin e tyre të gjatë mes një konflikti 12-vjeçar sirian, lideri i opozitës thotë se do t’i rivendoste marrëdhëniet me qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad dhe do t’i zhvendoste refugjatët në Siri me ndihmën e fondeve të BE-së.

Kilicdaroglu  tutje thotë se nëse BE-ja nuk do të bashkëpunonte, atëherë ai do t’i linte refugjatët të lëviznin drejt Evropës.

“Askush nuk duhet të burgoset për shkak të mendimeve të tij”

I pyetur për të burgosurit politikë, të tillë si filantropisti Osman Kavala dhe politikani kurd dhe ish-udhëheqësi i HDP-së Selahattin Demirtas, Kilicdaroglu tha se ata do të lirohen nën udhëheqjen e tij.

“Tashmë ka vendime gjyqësore për lirimin e tyre dhe ato vendime duhet të zbatohen”, tha ai. “Askush nuk duhet të jetë në burg për shkak të bindjeve të tij”.

Kilicdaroglu i anashkaloi pyetjet nëse ka frikë për sigurinë e tij personale në një fushatë të nxehtë dhe se çfarë rrezikon të humbasë të dielën, duke thënë se ai ishte i fokusuar vetëm në fushatë dhe se “ne nuk do t’i humbim zgjedhjet”./DW

Përgatiti: Nuhi Shala