Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LVV-së për Junikun: QKMF-ja do të punojë 24 orë

Kandidati për kryetar të Junikut, Besart Tofaj nga Lëvizja Vetëvendosje i ftuar në Debat Pernime tha se në tre muajt e parë do ta funksionalizojmë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Junik e cila do të japë shërbime 24 orëshe

“Pika e parë që do të marrim ne si Vetëvendosje është funksionalizmi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Junik, e cila do të ofrojë shërbime 24 orë dhe këtë do ta bëjmë brenda tre muajve. Kostoja e kësaj mund të jetë shumë e vogël 18-20 mijë euro në vit. Kjo qendër nuk jep shërbime 24 orëshe qe 8 vite. Po ashtu do të përkrahim personat me nevoja të veçanta që të kenë transport falas deri te QKMF”, ka thënë Tofaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Junikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Junikut, Agron Kuçi nga AAK; Besart Tofaj nga LVV dhe Ruzhdi Shehu nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Junikut: Erleta Qestaj dhe Festina Maloku nga AAK; Lirjeta Shehu dhe Vjollca Qestaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.