Ish-ushtari i UÇK-së arrestohet nga policia serbe në Merdarë

Hasan Dakaj nga Prizreni është arrestuar sot në mëngjes në Merdarë nga policia serbe.

Avokati Xhevdet Smakiqi ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook se Hasan Dakaj, i lindur me 10.08.1980 nga Prizreni është arrestuar në Merdarë rreth orës 09:00 të mëngjesit, derisa po udhëtonte me vëllanë e tij drejt Italisë.

“Familja Dakaj është nën frikë dhe ankth të madh pasi që polica serbe, Hasan Dakajn, ish-pjesëtarin e UÇK-së sipas informatave të para e kanë dërguar në qendrën e ndalimit në Kushumli dhe mund t’i nënshtrohet torturave fizike e psikike apo edhe më keq”- ka shkruar Smakiqi, i cili është autorizuar nga familja Dakaj për të mbrojtur të drejtat e familjarit të tyre.

Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që të interesohet për fatin ish-ushtarit të UÇK-së.

Ai ka thënë se MPJD përmes kanaleve diplomatike të kërkojë lirimin e Dakajt.