Isa Mustafa: Vendimet e shumicës duhet të respektohen, nuk arsyetohet protagonizmi individual

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar se mbrëmë ka mbledhur strukturën e partisë që udhëheq.

Sipas tij, në këtë takim është konfirmuar përkrahja ndaj kryeministrit, Avdullah Hoti. Gjithashtu, sipas tij, u diskutua edhe për emërimet e zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë nëpër ministri.

Ai, në fund, ka thënë se “fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje popullsitë”.

Ky është njoftimi i plotë i Isa Mustafës në Facebook:

Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe veprimtarë të LDK-së

Në takimin e mbrëmshëm, kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë përkrahje të parezervë Qeverisë së re të Kosovës dhe Kryeministrit Hoti.

U theksua se Qeveria ka fuqi politike, dije dhe kapacitete të ballafaqohet me të gjitha sfidat aktuale; se Qeveria Hoti ka vizion për të ardhmen.

Ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në digasteret qeveritare.

Në takim u theksua se natyrshëm është pritur që të gjithë deputetët e LDK-së të përkrahin qeverinë që drejtohet nga LDK-ja, duke pasur parasysh Statutin e LDK-së , përkrahjen që atyre iu është dhënë nga të gjitha degët në fushatë, mbështetjen maksimale logjistike dhe financiare nga qendra përkatësisht besimin që e kanë marrë nga votuesit si kandidatë të LDK-së.

Ishte konstatim i përgjithshëm se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së; se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste.