Ilustrim Zjarrfikësit e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Incident zjarri në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj, i dyshuari një shtetas i Serbisë

Policia e Kosovë ka njoftuar se sot në Ferizaj ka ndodhur një incident zjarri në varrezat ortodokse serbe, pasi një qytetar kishte ndezur qirinj të cilët pastaj kishin shkaktuar zjarrin.

“Rreth orës 11:30 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion për një incident zjarri në rrugën ‘’Sali Çeku’, përkatësisht në varrezat ortodokse serbe në Ferizaj. Është njoftuar Brigada e Zjarrëfikësve në Ferizaj, të cilët kanë dalë në vendin e incidentit dhe e kanë shuar zjarrin nga disa barishte”- thuhet në komunikatën e Policisë.

Tutje Policia sqaron se më herët patrulla policore kishte vërejtur një person, i cili kishte ndezur qirinj në tokë dhe nga aty zjarri ishte zgjeruar.

“Hetuesit policor të stacionit në Ferizaj i kanë marr veprimet e nevojshme dhe kanë identifikuar të dyshuarin B.G, mashkull, shtetas i Serbisë, i moshës 78 vjeçare, i cili siç ka deklaruar, aksidentalisht gjatë ritualit në varrezat ortodokse serbe ka ndezur qirinj dhe për pasojë është shkaktuar zjarri, ndërsa nuk janë shkaktuar dëme tjera material”- thuhet tutje në njoftim.

Tutje, sipas Policisë, i dyshuari është intervistuar nga policët hetues dhe sipas udhëzimeve të prokurorit kujdestar të Prokurorisë së Ferizajt, ndaj të dyshuarit është iniciuar shënim zyrtar dhe i njëjti është liruar.