Igballe Rugova vazhdon protestën e heshtur para Qeverisë për shkarkimin e Selmanajt

Drejtoresha e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rugova ka vendosur që të protestojnë në heshtje çdo ditë pune, për një orë para objektit të Qeverisë, duke kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij lidhur me çështjen e të pagjeturve.

Rugova protestën e saj duke qëndruar cdo ditë pune një orë para objektit të qeverisë e ka filluar gjatë ditës së djeshme dhe do ta vazhdojë derisa të shkarkohet Selmanaj.

Rrjeti i Grave të Kosovës i ka dërguar edhe një letër kryeministrit të vendit, Avdullah Hotit, duke i kërkuar shkarkimin e Selmanajt.

Gjatë debateve të interpelancës së kryeministrit të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, ku diskutohej çështja “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, u tha deputetëve se po bëjnë politikë mbi kufoma, jemi lodhur nga këto gjëra”.

Kjo deklaratë e tij u pasua me akuza të shumta edhe nga shoqëria civile, të cilët si përfaqësues të këtyre familjeve me viktima dhe të pagjetur po konsiderojnë që Selmanaj nuk e ka vendin në Qeverinë e Kosovës.

Në këtë letër drejtuar kryeministrit, Rrjeti i Grave ka përmendur kërkesat e vazhdueshme të familjarëve të personave të pagjetur, drejtuar qeverisë së Kosovës, që nga mbarimi i luftës.

“Familjet e të pagjeturve nuk u ndalën asnjëherë. Që nga përfundimi i luftës, ata vazhdimisht kanë protestuar, demonstruar dhe kanë ngritur zërin duke kërkuar përgjigje nga qeveria. Ne kemi qëndruar me ta, duke dëgjuar rrëfimet dhe thirrjet e tyre për të vërtetën. Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i dha prioritetin e merituar kësaj çështjeje. Përkundrazi, për dy dekada, kemi dëgjuar një kaskadë premtimesh boshe që mbajnë pak të vërteta”, thuhet në letrën drejtuar Hotit.

Gjithashtu, aty është përmendur edhe deputetje Saranda Bogujevci, duke u cilësuar si një nga zërat më të fortë në Kuvend.

“Që nga momenti kur u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, ajo ka përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës duke ngritur çështjen e rëndësishme të të pagjeturve. Ajo ka përmbushur detyrën e saj si deputete, për të përfaqësuar interesat tona dhe për të adresuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut”, thuhet në letrën drejtuar Hotit.

Në këtë letër është përmendur edhe shkarkimi i ish ministrit të Qeverisjes Lokale në qeverinë e Isa Mustafës, Jabllanoviç, i cili ishte shkarkuar pas deklaratave të tij ndaj familjeve të personave të pagjetur.

Sipas Rrjetit të Grave, kjo është hera e dytë që vjen një ofendim i tillë nga qeveria dhe rezultati nuk do të duhej të ishte ndryshe.

“Andaj, ne u bashkëngjitemi mijëra qytetarëve, duke përfshirë ata që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt. Kjo është e drejtë e popullit: të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqësit tanë politikë për të përfaqësuar interesat tona”, thuhet në letër.

Rrjeti i Grave të Kosovës i kërkon Hotit shkarkimin e Driton Selmanajt

Një peticion online në moton “Ti nuk më përfaqëson” për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt është hapur pas deklaratave të tij të fundit ndaj të mbijetuares së masakrës ndaj familjes Bogujevci në Podujevë, Saranda Bogujevci, e cila është edhe deputete e Vetëvendosjes.

Deri tash, peticioni është nënshkruar nga mbi 1,100 persona.