Ferdonije Qerkezi, Foto: Gazmend Bajri

Osmani: Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë

Në 25 vjetorin e ditës kur Ferdonije Qerkezi takoi për herë të fundit katër djemtë dhe bashkëshortin e saj gjatë periudhës së luftës në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë që historia e saj duhet të shërbejë si kërkesë për drejtësi.

Ferdonije Qerkezi, apo ashtu siç e quajnë të gjithë Nëna Ferdonije ende pret që t’i kthehen eshtrat e bashkëshortit dhe dy djemve të pagjetur.

Osmani ka shkruar se historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos rreshtin në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës.

“Eshtrat e dy djemve janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund”- ka shkruar Osmani.

Presidentja Osmani tha se që nga 27 marsi 1999, pritja e ka rënduar atë, por “Nëna stoike nuk ka hequr dorë nga shpresa”.

“Në ora 11:00, 25 vjet më parë ajo pati takimin e fundit me katër djemtë dhe bashkëshortin, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm. Eshtrat e dy djemve janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund”- ka shkruar Osmani.

Sot Ferdonije Qerkezi jeton e vetme në të njëjtën shtëpi ku iu morën djemtë dhe bashkëshorti në vitin 1999. Ferdonija e ka shndërruar katin e dytë të shtëpisë së saj në muze në kujtim të bashkëshortit dhe djemve të saj. Plastika e pastër i mbulon shtretërit, rrobat dhe sendet e familjes. Fotot e familjes, dikur të lumtur, sot gjenden të varura nëpër mure. Ka një ndjesi sikur ata janë zhdukur vetëm dje dhe ende pritet të kthehen.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13,000 njerëz dhe mbi 6,000 janë zhdukur. 1,617 persona ende figurojnë si të pagjetur, përderisa mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.