Rrjeti i Grave të Kosovës i kërkon Hotit shkarkimin e Driton Selmanajt

Rrjeti Grave të Kosovës (RrGK) përmes një letre drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti, ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij në lidhje me të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.

Në këtë letër drejtuar kryeministrit, Rrjeti i Grave ka përmendur kërkesat e vazhdueshme të familjarëve të personave të pagjetur, drejtuar qeverisë së Kosovës, që nga mbarimi i luftës.

“Familjet e të pagjeturve nuk u ndalën asnjëherë. Që nga përfundimi i luftës, ata vazhdimisht kanë protestuar, demonstruar dhe kanë ngritur zërin duke kërkuar përgjigje nga qeveria. Ne kemi qëndruar me ta, duke dëgjuar rrëfimet dhe thirrjet e tyre për të vërtetën.Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk i dha prioritetin e merituar kësaj çështjeje. Përkundrazi, për dy dekada, kemi dëgjuar një kaskadë premtimesh boshe që mbajnë pak të vërteta”, thuhet në letrën drejtuar Hotit.

Gjithashtu, aty është përmendur edhe deputetje Saranda Bogujevci, duke u cilësuar si një nga zërat më të fortë në Kuvend.

“Që nga momenti kur u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, ajo ka përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës duke ngritur çështjen e rëndësishme të të pagjeturve. Ajo ka përmbushur detyrën e saj si deputete, për të përfaqësuar interesat tona dhe për të adresuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut”.

Në këtë letër është përmendur edhe shkarkimi i ish ministrit të Qeverisjes Lokale në qeverinë e Isa Mustafës, Jabllanoviç, i cili ishte shkarkuar pas deklaratave të tij ndaj familjeve të personave të pagjetur. Sipas Rrjetit të Grave, kjo është hera e dytë që vjen një ofendim i tillë nga qeveria dhe rezultati nuk do të duhej të ishte ndryshe.

“Andaj, ne u bashkëngjitemi mijëra qytetarëve, duke përfshirë ata që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt. Kjo është e drejtë e popullit: të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqësit tanë politikë për të përfaqësuar interesat tona”.

Ndërsa në fund të kësaj letre, drejtoresha e Rrjetit të Grave, Igballe Rogova ka  bërë të ditur se do të protestojë çdo ditë nga ora 12:00, para qeverisë së Kosovës, derisa Driton Selmanaj të shkarkohet.

“Unë do të qëndroj në heshtje, në solidaritet me familjet e personave të pagjetur, si dhe me shumë qytetarë të Kosovës që mbështesin thirrjet e tyre për të vërtetën dhe për veprim nga qeveria jonë”, thuhet në fund të letrës së Rrjetit të Grave, drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti.