Deklarimi i zyrtarit policor, Tahir Bekteshi- Foto: KALLXO.com

Dy policë dëshmuan në gjykimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut

Në Gjykatën e Mitrovicës të mërkurën, më 25.03.2026, është mbajtur seanca ndaj kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, i akuzuar për mospërfillje të urdhrave të ligjshëm.

Radojeviq po akuzohet lidhur me përpjekjen për vendosjen e një banderole (banner) në një ndërtesë në Mitrovicë, me ç’rast është hasur nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët i kanë kërkuar të mos e bënte një gjë të tillë.

Duke qëndruar prapa deklarimeve të mëparshme se nuk ndihet përgjegjës për këtë vepër, Radojeviq tha se kërkesa për vendosjen e këtij banner-i erdhi nga Lista Serbe.

“Vendimi është marrë në bazë të kërkesës së subjektit politik Lista Serbe për vendosjen e banner-it, për festën e Krishlindjeve, banner i cili ka qenë me përshëndetje fetare të Krishtlindjeve, të cilën ne e përdorim: Paqja e Zotit, Krishti u lind’”- theksoi i pandehuri.

Në seancën e së mërkurës dëshmi në Gjykatë dhanë dy zyrtarë policorë.

Shefi i ndërrimit, Tahir Bekteshi, tha se me urdhër të eprorëve të tij nuk u lejua vendosja e banner-it nga Radojeviq në një ndërtesë afër shtatores së Car Llazarit në Mitrovicë të Veriut.

“Rreth orës 17:00, njësia patrulluese që ka qenë e vendosur te rrethi tek ‘Meridiani’ më ka njoftuar në lidhje me një banner. Kam vazhduar në atë drejtim dhe paraprakisht kam pasur urdhër nga hierarkia komanduese që një banner i tillë të mos vendosej. Kur kam arritur në lokacion, tek sheshi, jam takuar me të pandehurin dhe disa persona të tjerë. Të njëjtit i kam njoftuar se është dhënë urdhër që banner-i të mos vendoset. Të njëjtit kanë refuzuar një gjë të tillë” – theksoi Bekteshi.

Pas kësaj, zyrtari tha se ka njoftuar komandantin e stacionit në Mitrovicë të Veriut si dhe njësitë e tjera policore që të jenë prezente aty për shkak se, siç deklaroi ai, mund të ndodhte ndonjë incident apo të përshkallëzohej situata.

Në Gjykatë dëshmi dha edhe zyrtari policor, Ardin Karçe, i cili theksoi se me këtë rast ishte marrë një koleg i tij dhe se ai vetë nuk ishte prezent në vendin e ngjarjes.

“Unë kam qenë me kolegun Naim Maksuti në një rast tjetër në stacion policor. Kolegu Enis Azemi ka kërkuar që ta dërgoj deri në shëtitore. E kam dërguar kolegun në shëtitore, aty kam qëndruar disa minuta, dhe pas kësaj kam vazhduar në stacionin policor. Nuk kam qenë prezent kur ka ndodhë kjo sepse jam marrë me një rast tjetër në stacion policor”- tha Karçe.

Shqiptimi i gjobës ndaj Radojeviqit është shkruar nga polici Ardin Karçe sepse, siç tha ky i fundit, kjo iu kërkua nga Bekteshi për shkak të njohjes së gjuhës serbe.

“Më ka njoftuar se për çka bëhet fjalë, më ka thënë që ta lëshoj një dënim, për shkak të gjuhës, që dënimin ta shkruaj në gjuhen serbe. Po ashtu këtë e kam bërë në stacionin policor. Urdhrin e kam marrë nga shefi i ndërrimit, Tahir Bekteshi, dhe të shkruaj arsyetimin për mospërfillje të urdhrit policor” – shtoi Karçe.

Veprimin e zyrtarëve policorë avokati i kryetarit, Predrag Milkoviq, e cilësoi si keqpërdorim të së drejtës.

Madje ai e luti Gjykatën që klientin e tij ta lirojë nga përgjegjësia.

“Urdhri gjithmonë duhet të jetë i ligjshëm. Nëse të gjithë do t’i dëgjonim urdhrat e Policisë, nuk do të kishim nevojë as për komunë, gjykatë e institucione. Kryetari i qytetit ka kompetencë të menaxhojë me qytetin, me hapësirat publike. Nëse nuk është i kënaqur me vendimin e kryetarit ekziston rruga juridike”- potencoi Milkoviq.

Policia e Kosovës kishte konfirmuar për KALLXO.com se banner’-i ishte tentuar të vendosej në kohën e Krishtlindjeve ortodokse, në janar të këtij viti.

Mirëpo organet e rendit kishin vërejtur se krahas thirrjeve fetare, ky banner përmbante edhe mbishkrimin ‘Lista Serbe’, po ashtu edhe ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Kjo ishte arsyeja që fillimisht nuk u lejua të vendosej në një ndërtesë afër shtatores së Car Llazarit në Mitrovicë të Veriut.

Ndërkaq, kur Millan Radojeviq bëri kërkesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vendosjen e këtij banner-i, e njëjta është aprovuar.

Banner-i u vendos përsëri, por pa mbishkrimin ‘Lista Serbe’ dhe pa ngjyrat e flamurit të Serbisë.

“Është hasur duke tentuar të vendoste një banner dhe aty është takuar nga njësia patrulluese e Stacionit Policor Mitrovicë- Veri, njësia policore i ka dhënë urdhër mos ta vendosë dhe i njëjti e ka refuzuar urdhrin verbal”- kishte thënë gjyqtari Xhosha.

 

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut ftohet në Gjykatë si i pandehur