Millan Radojeviq në gjykatë

Kryetari i Mitrovicës së Veriut para Gjykatës për mos-përfillje të urdhrit policor

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq është paraqitur sot, më 04.03.2026 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në cilësinë e të pandehurit.

I njëjti është dëgjuar për kundërvajtjen: mospërfillja e urdhrave të ligjshëm.

Sipas gjyqtarit të lëndës, Bujar Xhosha, kryetari kishte tentuar ta vendosë një baner me ç’rast është hasur nga Policia e Kosovës dhe e kanë urdhëruar që mos ta bënte një gjë të tillë.

Mirëpo i njëjti nuk e kishte përfillur urdhrin e tyre. Lidhur me këtë, Radojeviq tha se nuk ndihet përgjegjës.

Policia e Kosovës kishte konfirmuar për KALLXO.com se baneri ishte tentuar të vendosej në kohën e Krishtlindjeve Ortodokse, në janar të këtij viti.

Mirëpo organet e rendit kishin vërejtur se krahas thirrjeve fetare, ky baner përmbante edhe mbishkrimin ‘Lista Serbe’ poashtu edhe ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Kjo ishte arsyeja që fillimisht nuk u lejua të vendosej në një ndërtesë, afër shtatores “Car Lazarit” në Mitrovicë të Veriut.

Ndërkaq, kur Millan Radojeviq bëri kërkesë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vendosjen e këtij baneri, e njëjta është aprovuar.

Baneri u vendos përsëri, por pa mbishkrimin ‘Lista Serbe’ dhe pa ngjyrat e flamurit të Serbisë.

“Është hasur duke tentuar të vendoste një baner dhe aty është takuar nga njësia patrulluese e Stacionit Policor Mitrovicë- Veri, njësia policore i ka dhënë urdhër mos ta vendosë dhe i njëjti E ka refuzuar urdhrin verbal”- tha gjyqtari Xhosha.

Gjyqtari e njoftoi të pandehurin se pranimi i përgjegjësisë në këtë fazë merret si rrethanë lehtësuese dhe në rast se pranon përgjegjësinë, nuk ka të drejtë të parashtrojë ankesë lidhur me vërtetimin e gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.

“Ndërsa ju keni të drejtë të parashtroni ankesë lidhur me vendimin për dënimin. Në rast se nuk e pranoni përgjegjësinë, atëherë gjykata do ta caktojë shqyrtimin gjyqësor”- potencoi Xhoshaj, sot më 04.03.2026.

Në anën tjetër, Radojeviq tha se nuk ndihet përgjegjës për këtë vepër.

“Nuk ndihem përgjegjës dhe mbetem pranë mbrojtjes me shkrim nga ana e avokatit tim”- tha kryetari.

Pas këtij deklarimi, Gjykata Themelore në Mitrovicë nxjerri aktvendimit që të caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësor me datë 25.03.2026 nga ora 14:00.

Të martën, KALLXO.com raportoi se Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, është ftuar të paraqitet në Gjykatën e Mitrovicës,  më 04.03.2026, në cilësinë e të pandehurit.

Radojeviq u dëgjua lidhur me kundërvajtjen – mospërfillja e urdhrave të ligjshëm.

Millan Radojeviq, anëtar i Listës Serbe, ka bërë betimin si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut më 05.12.2025.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut ftohet në Gjykatë si i pandehur