Seanca ndaj Dushko Arsiq, i akuzuar për krime lufte - FOTO: Aulona Alaj - KALLXO

I akuzuari për krime lufte sillet me masa të rrepta sigurie në gjykatë

 

Dushko Arsiq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në periudhën e vitit 1999 është ulur prapë në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e së martës, dy prej dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria rrëfyen ngjarjet që i përjetuan gjatë luftës përpara trupit gjykues me kryetarin Vesel Ismaili dhe anëtarët Suzana Çerkini dhe Violeta Namani.

I. K. shpalosi para gjykatës ngjarjen në të cilën e gjeti veten dëshmitar lidhur me të dëmtuarin Artan Krasniqi.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Dushko Arsiq e ka ndalur të dëmtuarin A. K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serb dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heq çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

I. K. rrëfeu se si në afërsi të “Gurit të Verdhë” në Kolovicë, i dëmtuari Krasniqi kishte ardhur i gjakosur në fytyrë dhe në shpinë.

“Më 1999 ka ardh Artani tek Guri i Verdhë në Kolovicë ku e kemi parë të përgjakur kah fytyra dhe nga shpina, ka qenë në gjendje të rëndë”,  u shpreh dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit special, Atdhe Dema, se a e kishte përmendur Krasniqi se kush e kishte përgjakur, dëshmitari u përgjigj se e ka përmendur emrin Dushko.

“Në fillim e ka thënë emrin Dushko dhe ka përmend emrat Dragan dhe Boban. Ka kallxu qysh dikon e kanë plagosur dhe ja kanë hedhur në shpinë, ka thonë që ka ndodh tek Maqedonct… na ka thënë për dikë që e kanë plagosur por ne nuk e kemi besuar, por pastaj ka dalë e vërtetë”.

Ndërsa dëshmitari pasues, H. F. në mes lotësh ka rrëfyer se si forcat paramilitare serbe i vranë të shoqen në vitin 1999, me një plumb në gjoks të cilin i njëjti e quajti si “shumë profesional”.

Mirëpo, i njëjti nuk mundi të identifikonte se kush e kishte qëlluar bashkëshorten e tij.

Lidhur me këtë, mori fjalën edhe avokati i të akuzuarit Arsiq, Nebojsha Vllajiq,  i cili kundërshtoi në bazën se kjo nuk është relevante me aktakuzën që rëndon mbi të mbrojturin e tij.

Prokurori Dema, iu kundërpërgjigj me arsyetimin se H. F. është dëshmitar i tërthortë e jo direkt.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet në datat 8 dhe 13 shtator 2023.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Tutje sipas Prokurorisë të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave jua kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.

“I akuzuari ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimave, tani të ndjerit B. Sh., ashtu që më 20.02.1999 në fshatin Butovc, derisa viktima ka qenë duke ecur të njëjtin e kanë gjuajtur me arme automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A. K. që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeçar që trupin e B. Sh. ta mbaj në shpinë”- thuhet tutje në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dushko Arsiq në po të njëjtën datë dhe vendin e njëjtë fillimisht e ka ndalur të dëmtuarin A. K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serb dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heq çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

“Pas goditjes nga i akuzuari, i dëmtuari bie në tokë, pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kështu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gde je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.

Sipas aktakuzës, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK