Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj: Ka një rikthim të besimit në PDK, do të garojmë vet në zgjedhje

U. d. kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj deklaroi sot se nga takimet që ka pasur me qytetarë është i bindur se ka një rikthim të besimit në këtë parti.

Hoxhaj tha se PDK janë të gatshëm për zgjedhje dhe janë të bindur se ofrojnë programin më të mirë.

“Ne jemi shumë të sigurt që në këto zgjedhje PDK pret një rezultat shumë më të madh se sa që e kemi pas në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar dhe prej takimeve që i kam pasur në teren në 35 komuna, e kam parë që kudo ka një rikthim të besimit në PDK”, tha më tej ai në një konferencë për media.

Ai shtoi se rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të jetë befasues dhe se në këto zgjedhje PDK do të garojë e vetme

“Jam i sigurt që rezultati zgjedhor do të jetë befasues, ne nuk jemi parti politike që garon për të marrë besimin e qytetarëve përmes sondazheve, sikurse partitë tjera politike, sondazhet i bëjnë të tjerët, ju do ta shihni se ne do të dalim fuqishëm në këto zgjedhje. PDK do të garojë e vetme në këto zgjedhje dhe do ta ruajë identitetin e saj dhe natyrisht që nëse ka subjekte të vogla pas zgjedhjeve mund të ulemi të bashkëpunojmë me ta”, shtoi ai.

Dje, Gjykata Kushtetuese ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Ndërsa sot, u. d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti.