Hovenier për rastin Banjska: Të mbahen përgjegjës autorët dhe të përfshirët në krimin e tmerrshëm
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë homazhe te varri i Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e rënies së tij.
Ambasadori amerikan ka bërë thirrje që autorët e asaj që ndodhi në Banjskë të Zveçanit të mbahen përgjegjës. Hovenier e quajti “krim të tmerrshëm” atë që ndodhi në Banjskë më 24.09.2023.
“Sot u bashkova me Qeverinë e Kosovës dhe kolegët diplomatikë për të nderuar kujtimin e policit të Kosovës Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës gjatë sulmit në Banjskë, një vit më parë sot. Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”- ka thënë ambasadori, bën të ditur Ambasada e SHBA-së.
KALLXO.com raportoi se familjarët e heroit Bunjaku kanë hapur dyert për vizita gjithashtu raportoi për homazhet që u bënë tek varrezat e të ndjerit.
Pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Ndërsa, pas vizitës te familja, edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varri i heroit.
Përveç tyre, homazhe kanë berë edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë të Kuvendit, zyrtarë të EULEX-it, e qytetarë të shumtë.
Një vit më parë një grup i armatosur serbësh, në Banjskë të Zveçanit vranë rreshterin e Kosovës, Afrim Bunjakun, pasi ishin vendosur në zonë mëngjesin e hershëm. Grupi udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar pushtetin e Serbisë për organizimin e sulmit, ndërsa aktakuza e ngritur ndaj grupit thotë se ata kishin për qëllim të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.
Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, Radoiçiq dhe grupi i tij të lirë në Serbi