I akuzuari i dytë për sulmin terrorist në Banjskë: 'Unë nuk e kam ditur se çka do të ndodhë atë ditë'
Gjykim ndaj të akuzuarve në rastin e slumit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, po vazhdon me dhënien e fjalëve përfundimtare nga i akuzuari Vlladimir Toliq.
Në këtë rast të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Dushan Maksimoviq dhe Vladimir Toliq që gjenden në masën e paraburgimit.
Në sesionin e paradites të datës 20.04.2026 fjalën e tij përfundimtare e ka dhënë i akuzuari i parë, Blagoje Spasojeviq. Më 15.04.2026 Prokuroria Speciale dhe avokatët e të dëmtuarve kishin paraqitur fjalët përfundimtare ku kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit.
Fjalën përfundimtare lidhur me këtë rast e ka dhënë edhe i akuzuari Vlladimit Toliq me avokatin e tij Millosh Deleviq. I akuzuari Toliq ka thënë se ka qenë në Banjskë ditën e sulmit, por që sipas tij nuk është e vërtetë ajo që thuhet në aktakuzë.
Sipas të akuzuarit, nuk ka pasur dijeni se çfarë do të ndodhë atë ditë pasi nuk i është thënë nga askush se ku po shkojnë. “Jam çuditur kur jemi gjendur në fshatin Banjskë.”- ka deklaruar vetë i akuzuari.
Tutje Toliq ka thënë se nuk ka mundur të supozoj se do të vjen një tragjedi dhe se nuk ka pasur dëshirë që të jetë aty lere më që të shkaktoj dhunë.
“Unë nuk e kam ditur se çka do të ndodhë atë ditë, çka jam nisur verbërisht, sepse askush nuk më ka thënë ku po shkojmë edhe vetë jam çuditur kur jemi gjendur në fshatin Banjskë, as nuk kam mundur të supozoj se do të vjen te tragjedia, as nuk kam dashur të jem aty e leje më të shkaktoj çfarëdo dhune.”- tha i akuzuari Toliq.
I akuzuari Toliq ka thënë se ditën kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist në Banjskë ka qenë i plagosur rëndë në kufirin e jetës dhe vdekjes.
Toliq tutje ka thënë se i vije keq për gjithçka që ka ndodhur dhe për jetën e humbur si dhe për njerëzit që janë lënduar.
“Unë nga deklarimet e mia kam thënë po e përsërisë prapë, më vjen keq për gjithçka që ka ndodhur, me vjen keq për jetët e humbura, me vjen keq për njerëzit që janë lënduar, por e gjitha kjo nuk është diçka që unë e kam bërë dhe arsyeja për këtë është se nuk jam fajtor për diçka të tillë.”- tha tutje Toliq.
Toliq i ka kërkuar trupit gjykues që të gjykohet në bazë të provave e jo të supozimeve që sipas tij janë të montuara e të rrejshme. I akuzuari në fund ka shtuar se fle i qetë duke e ditur që duart e tij nuk janë të gjakosura dhe se nuk e ka vrarë askënd e as lënduar.
“Unë lutem çdo ditë të Zotit që familjes time të i jep forcë dhe durim dhe i porosit që të jenë krenar me mua, dhe të flenë të qetë se edhe unë flej i qetë, se duart e mija s’janë të gjakosura, unë askënd se kam vrarë, lënduar. Kur ta merrni vendimin mua të më shikoni si njeri dhe të mos me shikoni pjesë e një tregimi, e gjithë kjo që më vihet në barrë nuk jam fajtor.”- tha i akuzuari në fjalën e tij përfundimtare.
Ndërsa avokati Millosh Deleviq që mbron të akuzuarin Toliq, ka thënë se lënda e këtij gjykimi nuk është situata politike por veprimet konkrete të akuzuarve.
Sipas avokatit në procedurë penale nuk gjykohet një i akuzuar me pretendime por me prova.
“Ne procedurën penale pretendimi nuk është provë.”- tha avokati i të akuzuarit.
Sipas avokatit, në aktakuzë nuk ceket nëse klienti i tij ka qenë urdhërues i vrasjes, ka gjuajtur apo ka qenë ndihmës ose nxitur këtë vepër penale. Sipas avokatit nuk janë konkretizuar veprimet e të akuzuarit.
Sipas avokatit, nëse gjykata i dënon të akuzuarit në bazë të kësaj që përshkruhet në aktakuzë, terrorizmi qon në kualifikim politik.
Avokati tutje ka shtuar se me asnjë provë që është administruar nuk ka dyshim që klienti i tij të gjykohet për këtë vepër penale për të cilën akuzohet.
Tutje avokati i Toliq ka thënë se, nuk pretendojnë që Toliq është i pafajshëm, por nuk është fajtor për veprat penale që e akuzon prokuroria.
Sipas avokatit, Toliq është fajtor se ka marrë pjesë në kryengritje të armatosur.
Dy nga tre të akuzuarit në këtë rast, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq kishin shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për të u mbrojtur në heshtje. Ndryshe nga dy të bashkëakuzuarit e tij, i akuzuari i tretë në këtë rast, Dushan Maksimoviq kishte zgjedhur të deklarohej për veprat të cilat po i akuzon Prokuroria Speciale. Maksimoviq para Gjykatës i kishte mohuar akuzat e Prokurorisë duke thënë se në ditën kritike nuk kishte qenë në Banjskë.
Sipas PSRK-së, 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që janë në paraburgim akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Kujtojmë se në seancën e datës 16.01.2026 gjykimi për rastin “Banjska” ka filluar rishtazi gjykimi. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Arben Hoti, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lëndën për gjykim e ka marrë gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i cili së fundi është bërë edhe kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të trupit gjykues: Ngadhnjim Arrni (kryetar) Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli (anëtarë).
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtim kryesor më 17.04.2025 nuk kanë pranuar fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë për rastin “Banjska”?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar. Millan Radoiçiq, Vladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Milosavleviq, Lazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Millan Nedelkoviq, Nikolla Iliq, Vlladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Lidhur me rastin, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023.
Çka ndodhi në Banjskë?
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në zonën e Zveçanit njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejt brendisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiqit, të cilën e kishte lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq. Në të njëjtën letër Radoiçiq kishte njoftuar se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.
Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.