Foto: Facebook

Historiani nga Deçani për vendimin e Qeverisë për Manastirin: Legalizim i zbatimit të vendimeve të kohës së Millosheviçit

Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, “Ali Hadri”, Dega në Deçan, Shkodran Imeraj e ka cilësuar vendimin e Qeverisë për Manastirin e Deçanit si sulmin më të madh që i është bërë rendit juridik e kushtetues në Kosovë.

Sipas Imerajt, ky vendim ka legalizuar zbatimin e vendimeve të kohës së Millosheviçit në Republikën e Kosovës.

“Bartja e pronave në pronësi të Manastirit të Deçanit mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 20.05.2016, e cila në mbështetje të aktgjykimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ka legalizuar zbatimin e vendimeve të kohës së Millosheviçit në Republikën e Kosovë dhe me këtë hapet udha e precedentëve të tjerë në Kosovë” – ka shkruar Imeraj në Facebook.

Historiani është shprehur i befasuar me qëndrimin e kryeministrit, Albin Kurti, i cili ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të zbatojë vendimin e Kushtetueses, që siç thotë Imeraj “i dhuron 24 hektarë pronë Manastirit të Deçanit me vendimet e kohës së Millosheviçit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Anipse tha se nuk i pëlqen ai “vendim i çuditshëm e i padrejtë”. Por, Kryeministri tha se këtë vendim e ka marrë duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë, marrë parasysh se ndërkombëtarët kanë kushtëzuar ecjen tutje të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës me zbatimin e këtij vendimi.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë, në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur”- tha kreu i qeverisë.

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që Manastirit të Deçanit t’i ktheheshin 24 hektarë tokë.

“Na është thënë që ne duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosoëvs nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht hejqen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues të Republikës sonë”- ka shtuar Kurti.

Këtë vit bëhen dy vjet që kur Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

Ky vendim është përshëndetur edhe nga Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, të cilët e quajtën këtë “ditë të mirë për sundimin e ligjit” e “moment historik”.