Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman e quan moment historik vendimin për dhënien e tokës Manastirit të Deçanit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, ndonëse e ka quajtur të “vonuar”, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ia dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Më në fund u bë. Edhe pse zbatimi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese ishte shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit. Urojmë Qeverinë e Kosovës, të gjithë aktorët politikë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit për në këtë moment historik” – ka shkruar ambasadori gjerman më 13.03.2024 në “X”.

Në një intervistë në KALLXOPernime, më 10.03.2024, ambasadori gjerman kishte kritikuar Kosovën për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit. Ai tha se pa respektuar vendimet e gjykatës, Kosova s’mund të bëhet anëtare e Këshillit të Europës.

Më 13.03.2024 Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë. Kryeministri Albin Kurti tha se për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës kërkohet zbatimi i Kushtetueses për pronat e manastirit.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk është zbatuar ende.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.