Hidhet poshtë aktakuza ndaj Saranda Bogujevcit, e akuzuar për pengim të policëve në kryerje të detyrave

Gjykata e Prishtinës e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Saranda Bogujevcit, e cila po akuzohet për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas vendimit të gjykatësit Sabit Sadikaj, aktakuza ndaj Bogujevcit është hedhur poshtë pasi që nuk janë plotësuar elementet e veprës penale për të cilën ajo akuzohet.

“Për shkak se veprës penale më të cilën ngarkohet e pandehura, i mungon elementi esencial i figurës së veprës penale si përdorimi i forcës apo kanosjes serioze”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Aktakuza ndaj Bogujevcit ishte ngritur pasi ajo kishte insistuar me çdo kusht të kalonte në rrugën “Migjeni” në Prishtinë edhe pse ishte njoftuar nga zyrtarët policorë se rruga ishte e bllokuar dhe nuk mund të kalonte aty. Rasti pretendohet se ka ndodhur në nëntor 2015.

Saranda Bogujevci aktualisht është nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.