
Haradinaj në Fushë-Kosovë: Ky vend duhet të dalë nga terri 4-vjeçar i trajtimit vetëm si rrugë për të kaluar
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, dhe Listën Ideal, më 23.01.2025 e kanë vazhduar fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025 me një tubim në Fushë-Kosovë.
Kandidati për deputet, Daut Haradinaj, ka thënë se ky vend duhet të dalë nga terri katërvjeçar i trajtimit vetëm si rrugë për të kaluar, aq afër qeverisë dhe aq larg projekteve kapitale.
“Fushë Kosova është epiqendër e shqiptarëve, të gjithë adresë të parë e kanë këtë qytet e Lugina e ka shtëpi të dytë. Ky vend duhet të dal nga terri 4 vjeçar i trajtimit vetëm si rrugë për të kaluar, aq afër qeverisë dhe aq larg projekteve kapitale. Siguria e Kosovës vjen përmes NATO-s, përmes saj vjen edhe siguria ekonomike e zhvillimore. Ne si koalicion për Kosovën Fituese, kemi plan konkret dhe të realizueshëm për këtë etapë që po hyn Kosova”- ka thënë ai.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.