Haradinaj i kërkon Kurtit t’i përfill kërkesat e Blinkenit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i përfillë këshillat e sekretarit amerikan, Antony Blinken dhe të gjithë aleatëve për rikthimin e normalitetit në veri.

Sipas tij, kjo nënkupton largimin e menjëhershëm të njësive speciale nga objektet e komunave në veri. Po ashtu, dorëheqjen e kryetarëve, shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në implementim të marrëveshjes së Ohrit.

Sipas Hradinajt, zhvillimet po hyjnë në një fazë të rrezikshme.

Postimi i plotë i tij në Facebook:

Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që qysh sot të përfillë këshillat e Sekretarit Amerikan Blinken dhe të gjithë aleatëve tonë për rikthimin e normalitetit në veri.

Kjo nënkupton largimin e menjëhershëm të njësive speciale nga objektet e komunave në veri dhe ajo të vazhdojë më detyrat e veta ligjore për ruajtjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit;

që kryetarët e komunave nga zgjedhjet e fundit atje, menjëherë të japin dorëheqje;

të shpallen zgjedhjet e lira në këto katër komuna, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjithëve, pa kushte e me garanca ndërkombëtare;

që kryeministri Kurti t’i kthehet implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, kjo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zhvillimet po hyjnë në një fazë të rrezikshme dhe koha nuk pret.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri dhe sekretari amerikan kanë biseduar edhe për gjendjen në katër komunat në veri të Kosovës, për zgjedhjet e reja dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit.

Kurti zhvillon bisedë telefonike me Blinken