Foto:ZKM

Kurti zhvillon bisedë telefonike me Blinken

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Sipas një njoftimi për media, Kurti e ka falënderuar Blinken për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, përderisa kanë diskutuar edhe për dialogun, në kuadër të së cilit u mbajt edhe një takim më 22 qershor.

“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë” – thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se kryeministri dhe sekretari amerikan kanë biseduar edhe për gjendjen në katër komunat në veri të Kosovës, për zgjedhjet e reja dhe për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit.

“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”- bën të ditur ZKM-ja.

Në njoftim është theksuar se Kurti dhe Blinken janë pajtuar që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.​

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Ndërkaq sot, tre policët e Kosovës që po mbaheshin në paraburgim tash e 12 ditë në Kralevë të Serbisë sot janë liruar.

Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.