Hamza: PDK do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se do të votojë pro ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, në seancën që do të mbahet nesër në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza përmes një konference për media.

“Kemi vendosur që t’i përkrahim dhe t’i votojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare financiarë që janë në rend të ditës së seancës së Kuvendit të Kosovës. Këto marrëveshje i përkrahim pa kushtëzime, fatkeqësisht nuk kemi pasur një kërkesë dhe një qasje të duhur edhe nga ana e Qeverisë. Në të kaluarën kemi pasur vështirësi në shumë çështje për votimin e çështjeve që janë në të mirën e Kosovës, si nga partitë që janë në opozitë dhe nga ato që janë në qeveri”, tha Hamza.

Hamza foli edhe për gjendjen ekonomike si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19, për të cilën thotë se nëse nuk merren masat e duhura do të përkeqësohet.

“Ne jemi duke e përcjell nga afër gjendjen shëndetësore në vend që është shqetësuese por edhe gjendja ekonomike. Ne vlerësojmë se nëse nuk merren masat e duhura, kjo gjendje ekonomike do të shkojë të përkeqësohet. Si Parti Demokratike me kohë kemi dal me propozimet tona. Nuk kemi mbetë vetëm me deklarata por i kemi proceduar edhe iniciativat ligjore në fillim të prillit e sot në korrik e Qeveria ende nuk i ka dhënë mend, ka pas afat për 30 ditë. Sot bizneset janë në gjendje të vështirë. Njerëzit nuk i kanë pranu pagesat”, u shpreh ish-ministri i Financave.

Kuvendi i Kosovës të enjtën do të mbajë tri seanca, dy prej të cilave të papërfunduara dhe një të re.

Kryesia e Kuvendit në mbedhjen e mbajtur sot ka vendosur që të enjten në orën 10:00 të vendosë për votim edhe pesë projektligje të cilat kanë të marrëveshje ndërkombëtare.

Këto marrëveshje nuk kanë arritur të kalojnë në dy seanca radhazi, për shkak të mungesës së kuorumit.

Në këtë seancë pritet votimi i pesë projektligjeve:

Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Projektligjit  për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës  mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”.

Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.