Halimi e quan shqetësuese mungesën e ambasadorëve të QUINT-it në pritjen shtetërore për ditën e çlirimit të Kosovës

Sibel Halimi, zëdhënësja e LDK-së, ka reaguar lidhur me mungesën e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në ngjarjen e organizuar nga krerët e shtetit për nder të 24- vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Këtë mungesë ajo e ka cilësuar si shqetësuese dhe fajin për këtë ia ka hedhur pozitës.

“Me aleatët tanë e fituam lirinë dhe paqen, ndërsa sot në përvjetorin e 24-të, në ditë feste, në vend se në krahë t`i kishim të njëjtit për të kremtuar, ata nuk marrin pjesë në pritjen shtetërore. Fatkeqësisht, për shkak të kryeneçësisë së këtij pushteti, vendi ynë është duke shkuar drejt izolimit ndërkombëtar. Mungesa e vendeve të QUINT-it në ngjarjen e organizuar nga Presidenca dhe Qeveria paraqet shqetësim për qytetarët e vendit. ”- ka shkruar Halimi në Facebook.

Sipas zëdhënëses politike të LDK-së, Kosova meriton një politikë të përgjegjshme dhe me vizion të qartë.

“Një pamje e tillë më së miri prezanton gjendjen tonë politike në të cilën ndodhet vendi ynë. Liderët e kësaj klase politike përshëndesin vetëm veten! Kosova meriton një politikë të përgjegjshme dhe me vizion të qartë”- ka përfunduar Halimi.

 

Kosova sot ka shënuar 24-vjetorin e çlirimit nga Serbia.

Por, në pritjen shtetërore, të organizuar bashkërisht nga presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë munguar përfaqësuesit e vendeve mike që ndihmuan në çlirimin dhe bërjen e Kosovës shtet.

Aty mungoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera të QUINT-it.

Në këtë pritje nuk kanë marrë pjesë as përfaqësues të subjekteve politike opozitare

Ndërkaq, për këtë KALLXO.com ka siguruar një përgjigje edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i cili  mungesën e tij në këtë ngjarje e ka arsyetuar me faktin se e kishte konfirmuar më herët ftesën e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, për të marrë pjesë në festën e ditës së çlirimit dhe 150-vjetorin e themelimit të Ferizajt.

Memli Krasniqi tha se nuk e di nëse ka marrë ftesë nga krerët e shtetit për pritjen dhe se për këtë duhet ta pyes protokollin e kabinetit të tij.

Krasniqi është pyetur edhe për mungesën e ambasadorit të SHBA-së dhe të ambasadorëve të shteteve të tjera të QUINT-it.

Më 12 qershor 2023 shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet e kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimit etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.