Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Memli Krasniqi tregon pse nuk mori pjesë në pritjen shtetërore për ditën e çlirimit të Kosovës

Në pritjen shtetërore për nder të përvjetorit të çlirimit të Kosovës kanë munguar drejtuesit e partive opozitare por edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka treguar arsyen pse nuk mori pjesë në pritjen e organizuar bashkërisht nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në një prononcim për KALLXO.com, Krasniqi mungesën e tij në pritje e ka arsyetuar me faktin se e kishte konfirmuar më herët ftesën e kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, për të marrë pjesë në festën e ditës së çlirimit dhe 150-vjetorin e themelimit të Ferizajt.

“Unë jam në Ferizaj sepse kam konfirmuar që do të marrë pjesë këtu në shënimin festiv të ditës së çlirimit dhe të 150-vjetorit të themelimit të qytetit”- është përgjigjur Krasniqi.

Memli Krasniqi tha se nuk e di nëse ka marrë ftesë nga krerët e shtetit për pritjen dhe se për këtë duhet ta pyes protokollin e kabinetit të tij.

Ndërkaq, Krasniqi është pyetur edhe për mungesën e ambasadorit të SHBA-së dhe të ambasadorëve shteteve të shteteve të tjera të QUINT-it.

Sipas Krasniqit, mungesa e tyre është mesazh në vetvete.

“Besoj se mungesa e tyre është mesazh në vetvete por se cili është mesazhi do të duhej t’i pyesnit ata”-është përgjigjur Krasniqi për KALLXO.com.

Më 12 qershor 2023 shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet e kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimit etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.