Pritja shtetërore për nderë të përvjetorit të 24 të çlirimit të Kosovës. FOTO: Arta Sopi/KALLXO.com

Pritja shtetërore për ditën e çlirimit pa prezencën e ambasadorëve të vendeve mike

Kosova sot ka shënuar 24-vjetorin e çlirimit nga Serbia.

Por, në pritjen shtetërore, të organizuar bashkërisht nga presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë munguar përfaqësuesit e vendeve mike që ndihmuan në çlirimin dhe bërjen e Kosovës shtet.

Aty mungoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera të QUINT-it.

Në këtë pritje nuk kanë marrë pjesë as përfaqësues të subjekteve politike opozitare.

Pritja shtetërore për nderë të përvjetorit të 24 të çlirimit të Kosovës. FOTO: Arta Sopi/KALLXO.com

Megjithatë, presidentja Vjosa Osmani tha se sot kujtojnë me respekt kontributin e heronjve, martirëve, si dhe ndihmën e aleatëve.

“Më 12 qershor 1999 ne fituam një të drejtë që qëndron në thelbin e ekzistencës tonë, dita e paqes që ne e njohim si dita e çlirimit është një datë e veçantë në ditën e historisë tonë të re. Kjo ditë përmbylli një kapitull të errët të së kaluarës tonë”- tha ndër të tjera Osmani.

Presidentja theksoi se lufta për liri është një rrugëtim i vazhdueshëm, i cili kërkon angazhim dhe vendosmëri të palëkundur.

Në këtë ngjarje, edhe kryeministri Albin Kurti falënderoi ndërkombëtarët për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës. Ai nuk la pa përmendur krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit.

“Bota perëndimore nuk mund dhe nuk duhej t’i duronte masakrat dhe djegiet që trupat serbe po kryenin në Kosovë… Sot nga këtu në Prishtinë si kryeministër i Republikës së Kosovës duke pasur përballë ambasadorët më lejoni të ju themi: Faleminderit!  Ju faleminderit që na u bashkuat në përpjekjen tonë të gjatë për liri”- u shpreh kreu i Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pritjes shtetërore për nderë të përvjetorit të 24 të çlirimit të Kosovës. FOTO: Arta Sopi/KALLXO.com.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u shpreh se sot e kujtojnë rrugën e gjatë nëpër të cilën ka kaluar Kosova deri në çlirimin e saj.

“Dita e çlirimit është ndër datat më të rëndësishme për popullin tonë, ne e kujtojmë rrugën e gjatë të vështirë e plot sakrifica që kemi kaluar për t’i dhënë fund okupimit dhe për ta përmbysur padrejtësinë” – u shpreh kryeparlamentari.

Gjersa i kujtoi të rënët, dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, Konjufca nuk la pa përmendur as komandantin Adem Jashari.

“Në këtë ditë në i kujtojmë te gjithë, posaçërisht komandantin tonë Adem Jashari. Projekti i shtetit të Kosovës gjithnjë ka qenë një projekt i lirisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët e shtetit tonë”- tha kreu i Kuvendit të Kosovës.

“Kurrë më Serbia nuk do të mund ta bëjë në Kosovë atë që e bëri, këtë gjë na ka mësuar dhe do të na mësojë liria jonë”-shtoi ai.

Më 12 qershor 2023 shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet e kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.